Lajme

Serbët nisin peticion kundër vendimit që Policia të merr hapësirën e institucioneve paralele në Mitrovicë të Veriut


Peticioni

Serbët në Mitrovicën e Veriut, këtë të shtunë, kanë filluar nënshkrimin e një peticioni kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, i cili më 29 dhjetor të vitit të kaluar miratoi propozimin për ndarjen e një parcele prej 27 mijë e 400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Iniciatorët e peticionit kanë ftuar qytetarët që në ditët në vijim të ngrenë zërin kundër, siç thonë ata, vendimit të kundërligjshëm dhe jodemokratik të kuvendit komunal, raportojnë mediat serbe.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut që të kursejnë dy minuta dhe të parandalojnë ndërtimin e bazës së re policore në Veri të Kosovës”, kanë bërë thirrje iniciatorët e peticionit.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, kishte thënë se në parcelën që i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës janë të vendosura disa nga objektet ku operojnë institucionet paralele serbe.

Sipas Uglanin te parcela është planifikuar të ndërtohet një stacion policor.

Reagim të menjëhershëm kishte pasur Lista Serbe, e cila e kishte quajtur vendimin si të paligjshëm.

Lista Serbe përmes një komunikate për media në anën tjetër kishte potencuar se vendimi u mor pa asnjë konsultim apo diskutim publik në të cilin do të duhej të merrnin pjesë qytetarët, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është “përkeqësimi i situatës në terren dhe presioni ndaj popullatës serbe”.

“Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadorët QUINT-t dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe kërcënimit të paqes dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, kishte pretenduar Lista Serbe.

Policia merr hapësirën e institucioneve paralel, Lista Serbe ankohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore