Kosova

Policia merr hapësirën e institucioneve paralel, Lista Serbe ankohet


Mitrovica e Veriut

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, këtë të premte, kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27 mijë e 400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se në parcelën që i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës janë të vendosura disa nga objektet ku operojnë institucionet paralele serbe.

Sipas Uglanin te parcela është planifikuar të ndërtohet një stacion policor.

Reagim të menjëhershëm ka pasur Lista Serbe, e cila e ka quajtur vendimin si të paligjshëm.

Lista Serbe përmes një komunikate për media tha se vendimi u mor pa asnjë konsultim apo diskutim publik në të cilin do të duhej të merrnin pjesë qytetarët, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është “përkeqësimi i situatës në terren dhe presioni ndaj popullatës serbe”.

“Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadorët QUINT-t dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe kërcënimit të paqes dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka pretenduar Lista Serbe.

Lista Serbe

Ndaj këtij vendimi, siç rëndom ndodh, ka reaguar edhe i ashtuquajtur shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Sipas Petkoviç-it, kjo është një tentativë e re për të shkaktuar një krizë të re në Veri të Kosovës në atë mënyrë që Qeveria e Kosovës të shmangë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore