Kosova

Senatori Murphy për de-eskalimin në Veri: Të lirohen serbët e arrestuar


Chris Murphy

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk është e mjaftueshëm për senatorin amerikan, Chris Murphy, i cili është njëri ndër hartuesit kryesorë të politikave amerikane rreth Ballkanit Perëndimor, si në administratën e Donald Trump ashtu edhe në atë të Joe Bide, meqë sipas tij Serbia dhe në veçanërisht Kosova duhet të ndërmarrin edhe disa hapa shtesë për de-eskalimin e situatës në Veri.

Njëra prej këtyre hapave të cilën duhet ta ndërmarrë Kosova, sipas Murphy-t, është edhe lirimi i serbëve të arrestuar nga institucionet relevante në Kosovë.

“Është e qartë se është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të reja në Veri të Kosovës. Gjithashtu duhet të tërhiqen edhe forcat speciale të policisë të dërguara nga Kosova në këtë pjesë të vendit. Gjithashtu, të lirohen personat e arrestuar, por edhe Serbia të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe në të njëjtën kohë të përmbahen nga ndërhyrjet ilegale. Pra, nëse kemi tërheqjen e policisë speciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, mendoj se ka potencial që dialogu të ecë në një drejtim pozitiv”, ka deklaruar ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sipas tij de-përshkallëzimi i situatës në Veri të Kosovës, është një nga çështjet më të rëndësishme, prandaj ai ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të kthehen në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut.

Duke folur për rolin e Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, senatori amerikan, ka theksuar se edhe SHBA-të mund të bëjnë edhe më shumë në këtë drejtim.

Prandaj ai është shprehur optimist se me emërimin e James O’Brien si Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë ndikimi i Amerikës në Ballkanin Perëndimor do të forcohet edhe më shumë.

“Kandidati i propozuar nga Presidenti Biden ka përvojë afatgjatë në rajon. Kështu, një kandidat që njeh Kosovën, Serbinë dhe rajonin do të merrte një pozicion të rëndësishëm në Departamentin e Shtetit. Ai është në gjendje të ndihmojë përpjekjet e ekipit tonë diplomatik në rajon dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar . Pra, Shtetet e Bashkuara kanë një mundësi të re – pasi Ndihmës Sekretari i ri amerikan i Shtetit për Evropën do të jetë një diplomat i njohur me shumë përvojë në rajon”.

Shteti i liron serbët që i rrahën gazetarët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore