Lajme

Senati i SHBA-ve kundër Biden për të hequr IRGC-në si grup terrorist


Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka votuar të mërkurën në favor të një mocioni jodetyrues, sipas të cilit administrata e Biden e ka të ndaluar të revokojë përcaktimin e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) si një organizatë e huaj terroriste.

Ndërsa mocioni, i prezantuar nga senatori republikan James Lankford është thjesht simbolik, ai është pa dyshim një shenjë ogurzezë për administratën amerikane, teksa përpiqet të thyejë një ngërç gati dymujor në bisedimet që synojnë kthimin në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015.

Mocioni kaloi me një numërim votash 62-33, me një numërim çuditërisht të lartë prej 16 demokratësh që votuan pro.

Senatori Robert Menendez, i cili votoi kundër marrëveshjes së 2015-ës dhe ka qenë me zë kritik ndaj përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike të administratës, nuk votoi.

Chris Coons, aleat i ngushtë i Biden-it, tha se e mbështeti mocionin “me qëllim që të inkurajojë negociatat e administratës Biden për të nxitur marrëveshjen më të fortë të mundshme”, duke adresuar si programin bërthamor të Iranit, edhe aktivitete të tjera keqdashëse.

Senatori Chris Coons

Rezoluta e Lankford bëri thirrje gjithashtu për çdo rikthim të mundshëm të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) për të adresuar “gamën e plotë të aktiviteteve destabilizuese të Iranit, përfshirë këtu zhvillimin e mjeteve të shpërndarjes për raketat balistike, mbështetjen ndaj terrorizmit dhe shmangien e sanksioneve nga individë, subjekte dhe anije në tregtinë e produkteve të naftës me Republikën Popullore të Kinës”.

Rezoluta ndalon më tej heqjen e sanksioneve ekzistuese ndaj IRGC-së.

Heqja e IRGC-së nga lista e organizatave të përcaktuara terroriste ka qenë pika kryesore e pengesës në fazat përfundimtare të negociatave të Vjenës, me SHBA-në që këmbëngul se nuk do të ndërmarrë një veprim të tillë në mënyrë të njëanshme.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe kryeministri izraelit Naftali Bennett diskutuan kohët e fundit kërkesën e Iranit që SHBA të heqë IRGC-në, të cilën Izraeli e ka kundërshtuar ashpër.

“Izraeli ka sqaruar pozicionin e tij për këtë çështje”, tha Bennett pas bisedës së tyre,

“Garda Revolucionare është organizata më e madhe terroriste në botë”.

“Jam i sigurt se Presidenti Biden, një mik i vërtetë i Izraelit që kujdeset për sigurinë e tij, nuk do të lejojë që Garda Revolucionare të hiqet”, shtoi Bennett.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore