Lajme

Seattle-i bëhet qyteti i parë amerikan që ndalon diskriminimin me bazë kaste


Seattle-i është bërë qyteti i parë amerikan që ndalon diskriminimin e bazuar në kastë pas një votimi nga këshilli i qytetit.

Këshilltarja Kshama Sawant ka thënë se lufta kundër paragjykimit të kastës është “thellësisht e lidhur me luftën kundër të gjitha formave të shtypjes”.

Sakaq, mbrojtësit e ndalimit kanë thënë se është e nevojshme për të parandaluar që paragjykimet e kastës të bëhen më të përhapura në SHBA.

Sistemi i kastës në Indi daton më shumë se 3 mijë vjet dhe e ndan shoqërinë hindu në grupe të ngurtë hierarkike.

Ndërkohë, urdhëresa e miratuar nga Seattle pason ndalime të ngjashme për paragjykimet e kastës që janë futur në kampuset e universiteteve amerikane vitet e fundit.

Sawant është e vetmja indiano-amerikane në këshillin e qytetit të Seattle-it. Ajo ka folur edhe më parë se është rritur në një familje brahmine hindu të kastës së lartë në Indi dhe ka qenë dëshmitare e një diskriminimi të tillë.

Por masa është kundërshtuar nga disa grupe hindu-amerikane, të cilët argumentojnë se ndalimi nuk është i nevojshëm pasi ligji amerikan tashmë e ndalon një diskriminim të tillë.

Në një letër të hapur, Federata Hindu-Amerikane me bazë në Washington DC ka njoftuar se teksa qëllimet e urdhëresës ishin të lavdërueshme, ajo “veçon në mënyrë të padrejtë dhe synon një komunitet të tërë në bazë të origjinës dhe prejardhjes së tyre kombëtare për trajtim të ndryshëm”.

Po ashtu atje shtohet se indian-amerikanët përbënin më pak se 2 për qind të popullsisë së Washington-it dhe se kishte pak prova të ndonjë diskriminimi të përhapur bazuar në kastë.

Diskriminimi i kastës është ndaluar në Indi që nga viti 1948, megjithatë diskriminimi vazhdon.

Referuar Institutit të Politikave të Migracionit, SHBA-të janë destinacioni i dytë më i popullarizuar për indianët që jetojnë jashtë vendit.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore