Lajme

Schimdt më në fund i tregon dhëmbët Dodikut, ia suspendon Ligjin për Prona “Republika Srpska”-s


Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka anuluar një përpjekje të autoriteteve të entitetit të Republikës Srpska për të transferuar pronën shtetërore.

“Pezullova zbatimin e ligjit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sot po zgjas ndalimin e disponimit të pronës shtetërore”, tha Schmidt në një konferencë për media.

Sipas tij, me këtë vendim vetëm BeH mund të disponojë pronën shtetërore, “domethënë të shpërndajë pronësinë mbi pronën shtetërore”.

“Vendimet që mora sot nuk e minimizojnë në asnjë mënyrë statusin e entitetit të Republikës Sërpska. U bëj thirrje të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë që të ulen dhe të diskutojnë së bashku për të ardhmen e pronës shtetërore, që të arrijnë një zgjidhje të arsyeshme për pronën shtetërore, çështje që është e pazgjidhur që 14 vjet”, tha Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai ka theksuar se “politika në demokraci kërkon që të gjithë të kontribuojnë për shtetin, dhe jo vetëm të shikojnë xhepat e tyre”.

“Të gjithë në këtë shtet duhet të marrin drejt pjesën e tyre, qofshin ato entitete apo kantone. Por, nuk duhet të ketë vendime të njëanshme. Thirrja ime është që të uleni me vëllezërit tuaj dhe të bisedoni, të merrni vendime dhe të mos bëni legjislacione joligjore”.

Ligji për pronën e paluajtshme u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska më 5 prill, pasi ishte miratuar në Parlamentin e këtij entiteti më 10 shkurt.

Ky ligj parashihte që pronat e paluajtshme në pronësi të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës të bëhen prona të Republikës Srpska.

Dodik: Prona e Republikës Srpska është pronë e RS-së dhe as Boni dhe as ndonjë autorizim nuk ndihmon

Anëtari serb i Presidencës së BeH, Milorad Dodik, deklaroi se prona e Republikës Srpska është pronë e RS-së dhe nuk ndihmon as Boni dhe as ndonjë autorizim.

Milorad Dodik – Anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës

“Djemtë më të mirë të Republika Srpska nuk vdiqën në mënyrë që gjermani i pazgjedhur Christian Schmidt të shpenzonte atë që dhanë më shumë”, i tha Dodik Srna-s.

Dodik shtoi se çështja e pronës shtetërore u zgjidh në Dejton në 1995, duke shtuar se “vetëm një i huaj i pazgjedhur dhe i pakonfirmuar, si Schmidt, mund të merret me çështjet e zgjidhura tashmë në Kushtetutën e BeH”.

Ai shtoi se” lëvizja e Christian Schmidt, Përfaqësuesit të Lartë që nuk njihet nga Republika Srpska, është një politikë kiç dhe e pakuptimtë, e cila iu detyrua atij nga ata që ngritën në mënyrë jokushtetuese çështjen e pronës.”

“I bëj thirrje partnerëve në Federatën e BeH që të respektojnë Kushtetutën e BeH dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe i rekomandoj zotit Schmidt që të blejë një biletë me një drejtim për në Gjermani”.

Dodik i ka thënë Schmid-it se “pushimet i kanë skaduar sot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore