Lajme

Sarrazin: S’ka nevojë për qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi


Manuel Sarrazin

Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për portalin pan-evropian të lajmeve “Euractiv”, ka thënë se Gjermania nuk e mbështet idenë e ndryshimit të qasjes ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) pas ngritjes së tensioneve.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar “ripërzierje letrash” në tryezën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë diplomati gjerman nuk ka parë arsye për ndryshimin e formatit të dialogut.

Sarrazin ka theksuar se Kosova dhe Serbia kanë qenë mjaft të qarta, të paktën deklarativisht, se qëndrojnë prapa marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut, veçanërisht në mes të shkurtit në Bruksel dhe pastaj në fund të marsit në Ohër. Ai ka thënë se propozimi franko-gjerman është akoma në tavolinën e negociatave.

“Mendoj se është thelbësore të përpiqemi të kemi një zbatim në rrugën e duhur dhe të kemi një histori pozitive hap pas hapi për ta bërë këtë të funksionojë”, ka theksuar Sarrazini, derisa ka shtuar se ekzekutivi gjerman është i vendosur të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Për më tepër, diplomati gjerman ka thënë se “mbështesin fuqishëm” punën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një kohë kur kritikat e Qeverisë së Kosovës lidhur me  qasjen e tij të njëanshme janë ngritur ndjeshëm pas vazhdimit të rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

“Përshkallëzimi nuk duhet të jetë një mjet për të shkatërruar lehtësisht dialogun. Ne duhet t’i fusim ata në rrjetën e dialogut dhe kur ata të përpiqen të dalin, jo, ne duam t’ju kthejmë në rrugën e duhur me atë që kemi rënë dakord dhe nuk do t’ju lëmë thjesht të ikni nga kjo”, ka theksuar ai.

E eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse Bashkimi Evropian (BE) pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore