Lajme

Sanchez garanton se zgjerimi është në krye të agjendës së Bashkimit Evropian


Zgjerimi është në krye të agjendës së Bashkimit Evropian, u angazhua në pikënisje të fjalës së tij kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Lajmi u bë i ditur gjatë diskutimit në seancën publike të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

“Diskutimet në Granada shtruan terrenin se si Unioni duhet të përgatitet për zgjerimin. Natyrisht që ne shikojmë sektorë të ndryshme, ministeriale të ndryshme që organizohen në kuadër të këtij procesi”, shtoi Sanchez.

Sipas tij, krerët evropianë së bashku me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor po takohen në një moment tjetër kyc për komunitetin evropian, duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi mes shteteve po funksionon.

“Gjuha e dhunës dhe konfliktit është e kundërta e asaj që mbron Bashkimi Evropian. Do të doja të përsërisja dënimin tonë për sulmin e Hamasit kundër Izraelit. Izraeli ka të drejtën legjitime për të mbrojtur veten brenda ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”, theksoi kryeministri spanjoll duke iu referuar luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Në të njëjtën kohë, mbrojtja e civilëve është thelbësore, siç është qasja në ndihmën ndërkombëtare për ata në nevojë, veçanërisht në Rripin e Gazës, shtoi Sanchez.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për të zgjidhur përfundimisht konfliktin është njohja e dy shteteve, në mënyrë që ato të mund të bashkëjetojnë në paqe dhe siguri.

Liderët nga BE dhe Ballkani Perëndimor po zhvillojnë një samit në kryeqytetin e Shqipërisë të hënën për të diskutuar rrugën drejt anëtarësimit në bllok për gjashtë vendet e rajonit.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka vënë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në krye të axhendës së bllokut 27-vendesh.

Temat kryesore në bisedimet vjetore – të quajtura Procesi i Berlinit – janë integrimi i Ballkanit Perëndimor në një treg të vetëm dhe mbështetja e transformimit të tyre të gjelbër dhe dixhital.

Kombet në rajon janë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Zyrtarët e lartë të BE-së që po marrin pjesë në samitin në Tiranë janë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Atyre iu bashkohen kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore