Lajme

Rusia nis një sulm ajror vdekjeprurës në Ukrainë, duke goditur Kievin


Rusia nisi një valë të re sulmesh ajrore në mbarë Ukrainën herët në mëngjes të së premtes, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke shkatërruar disa ndërtesa.

Shpërthime u dëgjuan në kryeqytet, Kiev, duke shënuar sulmin e parë atje në më shumë se një muaj, shkruan kompania mediatike “Bloomberg”.

Sulmet përfshinin avionë strategjikë Tu-95 që vijnë nga rajoni i Detit Kaspik, si dhe drone, tha Komandanti i Përgjithshëm ukrainas Valeriy Zaluzhnyi në Telegram.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shkatërruar 21 nga 23 raketa lundrimi Kh-101/Kh-555, si dhe dy drone, sipas Zaluzhnyi-t.

Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në një numër rajonesh duke përfshirë Kremenchuk, Dnipro, Mykolayiv, Poltava dhe Cherkasy, sipas kanalit televiziv ukrainas TSN.

Sipas vlerësimeve paraprake, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 11 raketa lundrimi dhe dy drone mbi Kiev, tha shefi i administratës ushtarake të qytetit Serhiy Popko në Telegram.

Ndërsa nuk u raportua asnjë vdekje në kryeqytet, mbetjet e raketave goditën një linjë elektrike në një nga rrethet, sipas Popko-s.

Një grua dhe një fëmijë u vranë në Dnipro. Të paktën tre persona u vranë në Uman, një qytet në rajonin e Cherkasy-t dhe tetë të tjerë u plagosën, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Ihor Klymenko. Një raketë goditi një shtëpi shumëkatëshe.

Të paktën dy persona u lënduan në qytetin Ukrainka në rajonin e Kiev-it, tha një zyrtar në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore