Shqipëria

Rrjedhja e informacionit të punonjësve shqiptarë, Meta: Organet e drejtësisë të vihen menjëherë në lëvizje


“Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit”.

Ky ka qenë reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të mërkurën e 22 dhjetorit, për sa i përket rrjedhjes së informacionit të të dhënave të 637 mijë e 138 tatimpaguesish.

Meta në median sociale Facebook, shkruan kjo rrjedhje informacioni është në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, “pas skandalit të patronazhistëve”.

“Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cenuar sigurinë private të çdo qytetari”, shkruan ndër të tjera Meta.

Në përfundim Meta u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të marrin masa “të menjëhershme”.

“I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve”, e përmbyll Presidenti i Republikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore