Lajme

Rriten shitjet e automjeteve elektrike në Evropë gjatë majit


Shitjet e makinave elektrike shënuan një rritje të dukshme në maj dhe tani përfaqësojnë 13.8 për qind të shitjeve evropiane, kundrejt më pak se 10 për qind në maj të vitit të kaluar.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “AFP”, duke cituar shifrat e publikuara të mërkurën nga Shoqata e Prodhuesve Evropianë (ACEA).

Shitjet e automjeteve elektrike kanë shpërthyer dukshëm në Holandë, Suedi, Francë dhe Gjermani dhe Tesla tani përfaqëson 2.6 për qind të pjesës së tregut.

Ndërsa BE-ja vërtetoi në fund të marsit fundin e shitjes së makinave me motor termik në vitin 2035, makinat me benzinë janë në rënie, por mbeten në shumicë në mesin e regjistrimeve të reja (36.5 për qind).

Hibridet janë në vendin e dytë dhe tani përfaqësojnë 25% të shitjeve (+1.8 pikë gjatë një viti).

Shitjet e hibridëve të rikarikueshëm (të cilët mund të futen në prizë ose terminal) vazhdojnë të bien (-0.6 për qind), të penalizuara nga Gjermania, e cila ka shkurtuar subvencionet për këtë lloj motori.

Më gjerësisht, regjistrimet e makinave të reja në Evropë shënuan një muaj të dhjetë radhazi rritjeje në maj, në +18.5 për qind, por ende mbeten gati një çerek më i ulët se përpara krizës shëndetësore.

Gati një milion makina të reja pasagjerësh u vendosën në rrugët e vendeve të Bashkimit Evropian muajin e kaluar.

Tregu evropian i automobilave ka filluar të rritet përsëri në mënyrë të qëndrueshme që nga gushti 2022, kur kriza COVID-19, e kombinuar me mungesën e pjesëve, duke përfshirë komponentë thelbësorë elektronikë, i kishte dhënë një goditje të rëndë.

Që nga fillimi i vitit, Volkswagen ka konsoliduar kryesisht pozicionin e tij si shitësi më i madh i makinave në Evropë, duke sunduar mbi 26.1 për qind të tregut (+1.2 pikë në një vit) me më shumë se 1.1 milionë makina të shitura, ndihmuar nga dinamizmi i markës së tij çeke Skoda dhe makina sportive spanjolle Cupra.

Gjigandi gjerman pasohet nga Stellantis franko-italiano-amerikane (18.9% e tregut, 1.7 pikë më pak gjatë një viti), marka e të cilit Alfa Romeo u rrit me 133,8 për qind gjatë një viti falë SUV-ve të rinj.

Renault francez arriti 11 për qind të tregut evropian (+1 pikë në një vit), i ndihmuar nga dinamizmi i makinave me kosto të ulët Dacia, vëllimet e të cilave u rritën me 42.9 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit.

Hyundai-Kia dhe Toyota panë përparimin e tyre të ngadalësuar në 8.8 për qind dhe 6.9 për qind të tregut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore