Lajme

Rrezatimi u bë shkak për evakuimin e ushtarëve rusë nga Çernobili


Ushtarët rusë filluan evakuimin nga termocentrali i Çernobil-it pasi morën “doza të konsiderueshme” rrezatimi.

Kjo, ndërsa hapnin llogore në vendet e kontaminuara.

Lajmin e bëri të ditur gazetarja franceze Faustine Vincent e “Le Monde”, e cila citoi kompaninë e energjisë elektrike të Ukrainës, Energoatom.

Sipas saj, shtatë autobusë mjekësorë që transportonin ushtarë rusë nga Çernobil-i, u sollën gjatë 1 prillit në Qendrën e Mjekësisë së Rrezatimit në Gomel të Bjellorusisë.

Për këtë njoftim, Vincent i referohet mediave të pavarura bjelloruse.

Rusët hapën llogore në “pyllin e kuq”, ultra të kontaminuar më 4 shkurt, para ofensivës, zbulon gazetarja franceze.

Një anëtar i bordit të agjencisë shtetërore, Yaroslav Yemelianenko, shkroi një mesazh të ngjashëm sot në median sociale Facebook.

“Ju hapët llogore në pyllin e kuq, ju bastardë? Tani jetoni me (rrezatimin) për pjesën tjetër të jetës tuaj të shkurtër”, thekson zyrtari ukrainas.

Një punonjës i termocentralit të Çernobil-it, i zënë rob që nga 24 shkurti, foli me ushtarët rusë, raporton agjencia Reuters.

“Kur u pyetën nëse dinin për fatkeqësinë e vitit 1986, shpërthimin e reaktorit nr. 4 (të termocentralit), ata nuk e kishin idenë”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka ndaluar marrjen e të dhënave nga sistemet që monitorojnë nivelet e radioaktivitetit në Çernobil që nga 9 marsi.

Ajo është gjithashtu e shqetësuar për mungesën e qarkullimit të stafit në termocentral që nga 20 marsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore