Lajme

Rreth 500 vendvotime do të rinumërohen


Ilustrim

Rreth 500 vendvotime që u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 17 tetor të këtij viti, do të rinumërohen në Qendrën e Rinumërimit dhe Rezultateve.

Kështu ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për Kuvende Komunale kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Nga ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen, rreth 450 janë vendvotime të rregullta, ndërsa janë përfshirë edhe dengje të votave me kusht dhe atyre me postë.

Bëhet fjalë për 10 dengje të votave me kusht nga Mitrovica e Jugut dhe tetë për Podujevë, si dhe disa dengje të votave nga jashtë Kosovës që u takojnë komunave Mitrovicë e Jugut, Poduejvë, Pejë dhe Prizren.

Rinumërimi i këtyre vendovotimeve do të fillojë të hënën  më 8 nëntor, në orën 17:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ, në mbledhjen e tij të radhës me tre nëntorë të këtij viti ka shpallur rezultatet përfundimtare për Asamblet Komunale.

Kështu bazuar në të dhënat e KQZ-së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të marrë 170 mijë vota duke u bërë partia më e votuar në Zgjedhjet Lokale.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 193 ulëse në Kuvendet Komunale duke arritur të grumbullojë 168 mijë e 84 vota.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës ka dalë si partia e tretë në këto Zgjedhjet Lokale duke akumuluar 161 mijë e 645 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka marrë 9 mijë e 863 vota në tërë vendin do të ketë 120 asamblistë.

Nisma në të gjithë vendin ka fituar 21 ulëse pasi ka marrë 18 mijë e 455 vota.

Aleanca Kosova e Re do të ketë vetëm tetë asamblistë pasi ka marrë 10 mijë e 277 vota.

Ndërsa Lista Serbe në komunat ku ka garuar do të ketë 147 asamblistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore