Lajme

Rrengaxhiu rus telefonoi Merkel-in, duke u shtirur si Poroshenko


Një rrengaxhi rus telefonoi ish-kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, duke pretenduar se ishte ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Sekretarja e shtypit Merkel konfirmoi këtë informacion për Deutsche Presse-Agentur.

“Mund të konfirmoj një bisedë telefonike me një telefonues që pretendonte të ishte ish-presidenti Petro Poroshenko”, tha sekretari i shtypit.

Biseda telefonike u zhvillua më 12 janar, përkthimi nga gjermanishtja në ukrainisht u krye nga shërbimi gjuhësor i Ministrisë së Punëve të Jashtme, shtoi zyra e Merkelit.

Ministria më vonë konfirmoi se e kishte përkthyer thirrjen.

Politico raporton se një burrë i paraqitur si Poroshenko e pyeti Merkelin për luftën në Ukrainë, marrëveshjet e Minsk-ut, presidentin bjellorus Alexander Lukashenko dhe kërkesat e Polonisë për dëmshpërblime për krimet e Gjermanisë naziste.

Kah fundi, ai madje ofroi të vazhdonte të fliste në rusisht për të “zhvatur Putinin”.

Merkel u përgjigj: “Jo, sigurisht që ne nuk do ta bëjmë këtë… Rusishtja ime është edhe më e keqe se sa ishte në 2014”.

Në regjistrim, Merkel tha se marrëveshja e Minsk-ut i lejoi Ukrainës të fitonte kohë të çmuar.

Megjithatë, ajo nuk tha asgjë të sinqertë, foli për unitetin e Perëndimit në konfliktin me Rusinë dhe theksoi se nuk dëshiron që të krijohet një “front i dytë publik” përveç kanaleve zyrtare.

“Nuk do të më shqetësonte nëse do të mbetej një bisedë mes nesh të dyve dhe nuk do të bënim ndonjë punë serioze me shtypin”, tha Merkel.

Në fund të bisedës, ishte gjithashtu e qartë se Merkel nuk ndihej rehat me disa nga pyetjet dhe donte të përfundonte bisedën.

“Meqenëse telefonuesi nuk shpjegoi qëllimin e thirrjes së tij dhe temat e pyetjeve ndryshonin vazhdimisht në përgjigjet e tij, ish-kancelarja pati përshtypjen e një bisede joprofesionale”, tha zyra e Merkelit.

Rrengaxhinjtë rusë, të njohur me pseudonimet Vovan dhe Lexus, thuhet se telefonuan presidentin polak Andrzej Duda në emër të presidentit francez Emmanuel Macron pasi raketa ra në Przewodów.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore