Shqipëria

Rrëmbimi i policëve të Kosovës, Rama rendit pesë pika: “De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës duke theksuar se nuk ka asnjë paralele “mes tyre dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia”.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në Twitter.

Rama shkruan fillimisht se KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, policët e rrëmbyer “duhet të kthehen sa më parë në shtëpi”.

Në vijim të reagimit kryeqeveritari shton se autoritetet e të dyja vendeve janë “100% të fokusuar tek lirimi i tyre”.

Pikat e Ramës:

1. Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!

4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!

5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.

Ndërtimi i situatës

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, u rrëmbyen tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore