Lajme

Rizvanolli i cilëson “të pajustifikuara, të padrejta – dhe kundërproduktive” masat e BE-së ndaj Kosovës


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës janë “të papërshtatshme, të pajustifikuara, të padrejta – dhe kundërproduktive”, sepse sipas saj, të njëjtat do t’ia mundësojnë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që “të vazhdojë të veprojë ashtu siç është duke vepruar”.

Në një prononcim për gazetën gjermane “Handelsblatt” të hënën, ajo ka thënë se shpreson që BE-ja së shpejti do t’i revokojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa përveç kësaj, ka kërkuar edhe mbështetje diplomatike për të parandaluar ri-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke kërcënuar investitorët e huaj.

“Nëse nuk kemi dënim dhe reagim të fortë nga aleatët e BE-së, raste të tilla mund të ndodhin përsëri”, ka thënë ministrja Rizvanolli, duke iu referuar sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit në fund të muajit shtator. Ajo ka shtuar se tensionet midis Kosovës dhe Serbisë nuk ndikojnë në perspektivën ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në pyetjen nëse largimi i masave do të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, javën e kaluar gjatë një konference të përbashkët për shtyp, ka thënë se BE-ja pret që të përmbushen tre kushtet e paraqitura në deklaratën e shteteve anëtare më 3 qershor.

Në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së janë paraparë tri kushte për largimin e masave ndëshkuese të vendosura në qershor: depërshkallëzimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore dhe angazhimi në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Sanksionet ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të këtij viti për shkak të mosdëgjueshmërisë së autoriteteve kosovare dhe dështimit për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për depërshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës.

BE-ja deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore