Lajme

Risia që e bëri Britaninë eksploruesin kryesor të hekurit u mor nga metalurgët xhamajkanë


Një risi që e shtyu Britaninë të bëhej eksportuesi kryesor i hekurit në botë gjatë Revolucionit Industrial u përvetësua nga një shkritore xhamajkane e shekullit të XVIII-të.

Të paktën kështu sugjerojnë të dhënat historike.

Procesi Cort, i cili lejoi që hekuri i farkëtuar të prodhohej në masë nga hekuri i skrapit për herë të parë, i është atribuar prej kohësh financierit britanik Henry Cort, i kthyer në mjeshtër hekuri.

Ai ndihmoi në nisjen e Britanisë si një superfuqi ekonomike dhe transformoi fytyrën e vendit me “pallate të hekurta”, duke përfshirë Crystal Palace, Temperate House të Kew Gardens dhe harqet në stacionin e trenit St Pancras.

Nga raportet bashkëkohore të gazetave zbulohet se inovacioni u zhvillua për herë të parë nga 76 metalurgë xhamajkanë me ngjyrë në një fabrikë hekuri pranë Gjirit Morant, Xhamajka.

Shumë nga këta metalpunues ishin njerëz të skllavëruar të trafikuar nga Afrika perëndimore dhe qendrore, e cila kishte industri të lulëzuara të hekurit në atë kohë.

Jenny Bulstrode, lektore e historisë së shkencës dhe teknologjisë në University College London (UCL) dhe autore e punimit, ka thënë se “kjo risi e nis Britaninë si një prodhues i madh hekuri dhe ishte një nga risitë më të rëndësishme në krijim të botës moderne”.

Teknika u patentua nga Cort në vitet 1780 dhe vlerësohet gjerësisht si shpikësi dhe si “babai i tregtisë së hekurit” pas vdekjes së tij.

Ndërkohë, hulumtimi i fundit paraqet një rrëfim të ndryshëm, duke sugjeruar që Cort dërgoi makineritë e tij – dhe inovacionin e plotë – në Portsmouth nga një shkritore xhamajkane që u mbyll me forcë.

Fabrika xhamajkane e hekurit ishte në pronësi të John Reeder, i cili në korrespondencë e përshkroi veten si “mjaft injorant” për prodhimin e hekurit, duke vënë në dukje se 76 metalurgët që drejtonin shkritoren ishin “të përsosur në çdo degë të fabrikës së hekurit”.

Dhe se, përmes aftësive të tyre, mund ta kthenin skrapin dhe metalin me cilësi të dobët në hekur të farkëtuar me vlerë.

Risia e tyre erdhi pasi punëtorët futën përdorimin e rrotullave me brazdë në shkritore për të mekanizuar procesin e dikurshëm të mundimshëm të nxjerrjes me çekan të papastërtive nga hekuri me cilësi të ulët.

“Është si një alkimi mekanike”, ka shpjeguar Bulstrode.

“Në thelb merrni mbeturina dhe i ktheni në diçka me vlerë shumë të lartë përmes këtij procesi”.

Deri në vitin 1781, fabrika xhamajkane e hekurit kishte një fitim mbresëlënës prej 4 mijë paund në vit, ekuivalent me rreth 7.4 milionë paund sot.

Sakaq, Cort po përballej me falimentimin, pasi mori përsipër fabrikën e hekurit të një klienti në vitin 1775 dhe shpalosi shuma të konsiderueshme për të fituar një kontratë të Marinës Mbretërore për të përpunuar hekurin, përpara se të kuptonte se do të bënte një humbje të madhe.

Punimi, i botuar në revistën History and Technology, gjurmon se si Cort mësoi për hekurishten xhamajkane nga një kushëri vizitor, një mjeshtër i anijes në Indinë Perëndimore.

Ky i fundit transportonte rregullisht anije, ngarkesa dhe pajisje të sekuestruara përmes veprimeve ushtarake nga Xhamajka në Angli.

Vetëm disa muaj më vonë, qeveria britanike vendosi Xhamajkën nën ligjin ushtarak dhe urdhëroi që fabrika e hekurit të shkatërrohej, duke pretenduar se mund të përdorej nga rebelët për të kthyer hekurishtet në armë për të përmbysur sundimin kolonial.

“Historia këtu është mbyllja e Britanisë, përmes forcës ushtarake, konkurrencës”, ka treguar Bulstrode.

Makineria u ble nga Cort dhe u dërgua në Portsmouth, ku ai patentoi inovacionin.

Pesë vjet më vonë, Cort u zbulua se kishte përvetësuar shuma të mëdha nga pagat e marinës dhe patentat u konfiskuan dhe u bënë publike, duke lejuar adoptimin e gjerë në fabrikat britanike të hekurit.

Bulstrode shpreson të sfidojë narrativat ekzistuese të inovacionit.

“Nëse i pyet njerëzit për modelin e një novatori, ata mendojnë për Elon Musk ose një djalë të bardhë të vjetër me një veshje laboratori”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ata nuk mendojnë për njerëzit me ngjyrë, të skllavëruar, në Xhamajka në shekullin e XVIII-të.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore