Shqipëria

Rindërtimi i plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës, çfarë dihet deri tani


Nuk është e para herë që Fredi Kokoneshi, kryebashkiaku i Divjakës, përfshihet në një konflikt.

Pak kohë më parë, ai do të dhunohej në mes të qytetit nga 32-vjeçari me iniciale D. S.

Kësaj here, pasojat ishin edhe më të rënda.

Ai, së bashku me shoferin e tij, i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale pasi u plagosën të premten e 11 nëntorit me thikë.

Kokoneshi u godit katër herë në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Kurse shoferi i tij është në gjendje të rëndë pasi është plagosur pesë herë me thikë në bark.

Referuar njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë.

Shtetasi me iniciale O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës kryebashkiakun Kokoneshi.

Autori i ngjarjes ka qenë ish-punonjës i bashkisë. Ai e ka kryer krimin pasi u shkarkua nga puna bashkë me gruan e tij, e cila mbante postin e drejtoreshës në Bashkinë Divjakë.

Përpos kryebashkiakut, ai goditi edhe shoferin e tij, shtetasin me iniciale G. B., 45 vjeç.

Të dy të dëmtuarit u transportuan menjëherë në spital dhe morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal Lushnjë.

“Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sakaq, në vendngjarje shkuan drejtuesit më të lartë të DVP Fier.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Reagime pas ngjarjes

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas sulmit me thikë ndaj kryebashkiakut të Divjakës.

Ai e ka vizituar atë në spitalin e Lushnjës, ku gjendet edhe shoferi i kryebashkiakut Fredi Kokoneshi që mbeti po ashtu i plagosur nga sulmi.

Balla ka theksuar se ky sulm është një produkt ndasisë dhe përçarjes që ndodh çdo ditë në vendin tonë.

“Të dy janë nënshtruar ndërhyrje kirurgjikale. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë për të dy. Është një ngjarje e rëndë. Është produkt i kësaj ndasie dhe përçartje që ndodh çdo ditë”, ka thënë Balla.

Po ashtu ka thënë se çdo qytetar shqiptar duhet ta kuptojë që në këto ditë të vështira të jemi të bashkuar dhe jo të përçare.

“Nuk e di se kush është arsyeja, di që një i çmendur ka marrë thikën dhe ka shkuar të godasë! Burimi i kësaj ndasie dhe urrejtje duhet të ndalet”, ka përmbyllur.

Një tjetër reagim ka ardhur nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili e ka cilësuar si tepër të rëndë ngjarjen.

Ai ka theksuar edhe një detaj.

“Nuk ka ndodhur asnjë konflikt në poliklinikën e Divjakës, zero. Kryetari i Bashkisë së Divjakës ka qenë në punë, nuk ka qenë në poliklinikën e Divjakës”, ka thënë ai.

Është një sulm i pastër kriminal kundrejt një zyrtari në detyrë, sipas tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore