Lajme

Republika Serbe pengesë për implementimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, ndalon heqjen e vizave mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës


Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe/Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor, kanë votuar për të ndaluar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Lëvizja pa viza e qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës ishte bërë e mundur falë tri marrëveshjeve të mobilitetit të arrituar mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër Procesit të Berlinit, porse me vendimin e fundit të Republikës Serbe është ndaluar heqja e regjimit të vizave.

Anëtarja serbe e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhekja Cvijanoviç, inicioi një mekanizëm për të mbrojtur “interesat vitale” të Republikës Serbe, sepse sipas saj, heqja e regjimit të vizave do të ishte e dëmshme për interesat e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Qeveria e Kosovës, më 8 shkurt, pati miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Më 3 nëntor 2022, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu kanë ratifikuar tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit, që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, por të njëjtat nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, kjo nuk i pengon shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese. Këtë po e dëshmon Kosova.

Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të ngërçit politik atje dhe destruktiviteti i presidentit nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, janë bërë pengesë për ratifikimin dhe implementimin e marrëveshjeve nga shtetet respektive.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore