Lajme

Refugjatët që fituan azil në Britani kapin nivelin më të lartë të 32 viteve


Përqindja e refugjatëve të cilëve u është dhënë azil në Britaninë e Madhe ka arritur nivelin më të lartë të 32 viteve.

Kjo, pasi shifrat tregojnë se numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin me varka të vogla është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”.

Ministria e Brendshme britanike (Home Office) zbuloi se më shumë se tre të katërtat (76 për qind) e azilkërkuesve iu miratuan kërkesat e tyre për azil, leje ose mbrojtje humanitare deri në qershor të vitit 2022.

Kjo ishte shkalla më e lartë e granteve që nga viti 1990, ndërkohë që numri i prapambetur i qeverisë në përpunimin e kërkesave për azil ka arritur në 118 mijë njerëz.

Shifrat tregojnë gjithashtu se 2 mijë e 165 shqiptarë u regjistruan teksa mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla midis janarit dhe qershorit 2022.

Kjo, krahasuar me vetëm 23 të zbuluar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Policia shqiptare mund të sillet në Mbretërinë e Bashkuar për të vëzhguar mbërritjet e emigrantëve dhe për të përcjellë inteligjencën në një përpjekje për të trajtuar kalimet e Kanalit.

Në gjysmën e parë të këtij viti, më shumë se gjysma (51 për qind) e mbërritjeve me varka të vogla ishin nga tre kombësi – shqiptare (18 për qind), afgane (18 për qind) dhe iraniane (15 për qind).

Një marrëveshje mes sekretares së brendshme në Britani, Priti Patel, dhe qeverisë shqiptare mund të çojë oficerët në bregun e Kentit për të qenë të pranishëm.

Kjo, gjatë përpunimit të migrantëve dhe për të ndihmuar autoritetet britanike me informacion, thanë zyrtarët.

Ende nuk është konfirmuar se kur mund të ndodhë kjo.

Më pak se 1 mijë shqiptarë janë dëbuar nga Britania e Madhe që nga nënshkrimi i marrëveshjes së largimeve vitin e kaluar.

Numri i njerëzve që përdorin “rrugë të sigurta dhe ligjore” për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar ishte shumë më i madh se numri i azilkërkuesve, tregojnë statistikat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore