Kosova

Reduktimet e energjisë elektrike – pasojat ekonomike, vitin e ardhshëm


Ilustrim

Reduktimet e rrymës si pasojë e krizës energjetike në Kosovë përveç se kanë ndikuar në përditshmërinë e çdo qytetari, në masë të madhe e kanë afektuar edhe punën e bizneseve në vend.

Energjia, si resurs i domosdoshëm për funksionim normal të secilit biznes pa dyshim ka sjellë pasoja zingjirore në prodhim.

Për ekonomistin, Erton Bega, tashmë dëmet që mungesa energjisë elektrike i ka shkaktuar bizneseve vendore është evidente, marrë parasysh edhe prishjet eventuale të pajisjeve të prodhimit nga ndërprerjet e shpeshta të rrymës.

Bega për Albanian Post ka bërë të ditur se në mungesë të energjisë elektrike rritet kostoja e prodhimit e për rrjedhojë rriten edhe çmimet e caktuara e cila mund të rezultojë deri te mbyllja e fabrikave në vend.

“Ekonomia e Kosovës është prekur tashmë nga kriza energjetike. Kemi një fabrikë të mbyllur, shumë të tjera po reduktojnë dhe pezullojnë prodhimin. Dëmet tjera do të reflektojnë në rritje të çmimeve edhe më tepër, neto eksporti do të pësoj dhe për rrjedhojë edhe bruto produkti vendor do të goditet në këtë periudhë”, ka thënë Bega për AP.

Krahas dëmeve të matshme, për Bega kjo krizë do të ndikoj negativisht edhe në tërheqjen e investimeve të reja.

“Është e dukshme që kapacitetet tona energjetike janë të kufizuara dhe një avari në termocentrale mund të shkaktoj dëme të konsiderueshme. Kriza e tanishme ka shpërfaq kapacitetet e pamjaftueshme të Kosovës për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që do të ndikonte në rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë”, ka përfunduar ai.

Erton Bega

Edhe për njohësin e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, kriza energjetike në vend përveç se ndikon në aspektin psikologjik duke i de-motivuar qytetarët dhe në veçanti e godet në aspektin spiritual diasporën kosovare, është një goditje e rëndë edhe për prodhimtarin në vend si në aspektin e cilësisë ashtu edhe në përmbushjen e standardeve.

Sipas Gërxhaliut reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë kanë goditur rëndë prodhimin “Made in Kosovo”, e cila në mungesë të energjisë elektrike është bazuar në prodhimin përmes gjeneratorit dhe një gjë e tillë rrjedhimisht produktin e prodhuar e bënë jo konkurruese në treg.

“Çdo proces i ndaljes së energjisë elektrike është një goditje pasi dëmtohen sasi të shumta të prodhimit sepse duhet një startim i ri dhe e tëra kjo është një kosto që do të reflektohet në kalkulimet e sektorit privat e cila do të manifestohet vitin tjetër”, ka thënë Gërxhali për AP.

Për Gërxhaliun, nëse këtë vit Kosova ka pasur të hyra rekorde si në administratën tatimore ashtu edhe në Doganat e Kosovës, me efektet negative të kësaj krize energjetike e cila ka goditur prodhimin vendor një gjë e tillë nuk mund të përsëritet në vitin e ardhshëm.

Safet Gërxhaliu

Avaritë që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe dalja jashtë funksionit të blloqeve për Kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka krijuar një situatë të vështirë prodhuese në Kosovë dhe si rezultat i kësaj tashmë Kosova është duke prodhuar me kapacitetet të limituara.

“Në praktikë kjo përkthehet që nuk kemi sasi të mjaftueshme sa i përket prodhimit vendor dhe si rrjedhojë është rritur shkalla e importit nga jashtë”, ka thënë Shala për AP.

Sipas Shalës e gjithë kjo krizë energjetike që ka kapluar Kosovën është si pasojë e keq menaxhimit të KEK-ut dhe planifikim jo adekuat në pjesën përgatitore që do të duhej të ndodhte gjatë sezonit të verës.

“Kemi një planifikim jo të duhur edhe një mos mirëmbajtje të mirë dhe është normale që proceset pastaj të dalin jashtë sistemit”, ka përfunduar ai.

 

Ferat Shala

Ndryshe Qeveria e Kosovës pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë që u mbajte të premten e 24 dhjetorit kishte njoftuar se ka vendosur masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilët do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë, vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.

Në arsyetim e Qeverisë së Kosovës thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore