Shqipëria

Favorizoi djalin e Tom Doshit – Reagon Policia pas pezullimit të shefit të qarkullimit rrugor në Lezhë


Policia e Shtetit ka reaguar pas pezullimit nga detyra të shefit të qarkullimit rrugor në Lezhë, pas një rasti ku mendohet se djali i ish-deputetit Tom Doshi, është favorizuar në një aksident rrugor ku është përfshirë.

Referuar Policisë, aksidenti është referuar dhe është pezulluar nga detyra Ismet Sula – shef i Qarkullimit në Lezhë.

Pezullimi i tij është kryer pasi ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar James Doshin, duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.

“Më datë 17.03.2024, në aksin rrugor ‘Lezhë-Milot’, shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip ‘Lexus’, është përplasur me automjetin tip ‘Benz’ me drejtuese shtetasen L. J., 55 vjeçe, banuese në fshatin Tresh, Lezhë, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Lezhës, në gjendje jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se nga ana e Policisë Rrugore Lezhë janë kryer të gjitha veprimet  e para hetimore në vendngjarje, konform ligjit, në konsultë me prokuroren e gatshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet janë referuar në Prokurori, më datë 18.03.2024, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore I. S., në ngarkim të shtetasit J. D., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky rast është pasqyruar në komunikatën ditore  të datës 18.03.2024, në të cilën janë pasqyruar ngjarjet dhe aktivitetet ditore të strukturave të Policisë, përgjatë 24 orëve të datës 17.03.2024.

Më datë 15.04.2024, nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është sjellë urdhri i ekzekutimit të vendimit penal të  Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar I. S., pasi dyshohet se Nënkomisar I. S. ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin J. D., duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra, të punonjësit të Policisë I. S. dhe ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë të disiplinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore