Lajme

Reagimi i deputetit Basha, edhe më i dobët se notat e klasës së tretë


Dimal Basha me nota te dobeta

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar pasi iu publikuan notat e klasës së tretë, të cilat ishin kryesisht të dobëta.

Notë minimale në biologji, kaluese në matematikë, ishin vetëm disa nga notat e dobëta të atëherë nxënësit, tani deputetit Basha.

Ai s’i ka mohuar këto nota, por ka publikuar dy diploma të fituara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dëshmi se nuk është i dobët në shkollim, ashtu siç e prezantojnë notat e tij.

Bashkë me diplomat ka shkruar edhe një status të gjatë në mbrojtje të vetës. Statusi është shkruar me një shqipe të varfër dhe me plotë gabime drejtshkrimore – njëjtë siç ishte notuar edhe në vitin e tretë në Gjuhën Shqipe me notën tre (3).

Ai është lëvduar se ka punime shkencore dhe “mbi 50 opinione të publikume”.

Basha shkruan se “Jo veq unë, po krejt në familje jemi t’shkollum, duke nis prej babit inxhinier, motrës mësuese ne SHBA, vëllaut inxhinier në New York, motrës Dafinës si një prej kontabilisteve më t’suksesshme ne New York”.

Pavarësisht se në këtë paragraf flitet për shkollimin, Basha bën shumë gabime drejtshkrimore, madje edhe vëllai e shkruan gabim. Në vend të “vëllait” ai shkruan “vëllaut”.

Por, Basha është i sigurt në vete. Ai është i bindur se po sulmohet me një agjendë prapa.

Sepse po ua sulmoj grenellat e rrahmanat, e njëkohësisht në Ferizaj nuk ua nali kallëzimet penale kriminelave dhe vazhdoj me kanë gati i vetmi që jam n’luftë me mafinë e betonit”.

Basha, duke mbrojtur vetën, sulmon gazetarin Berat Buzhala, mediumi i të cilit publikoi notat e tij.

Unë jam i vetëdijshëm që derisa s’gjejnë naj tender, ose naj tradhëti ku ma kanë lidh babën me naj bunarë, normal që nuk lanë sen pa gjujt”, shkruan ai.

Pjesa me “babanë në bunar” ka të bëjë me një histori të gazetarit Buzhala. Një tregim i pakonfirmuar asnjëherë nga kundërshtarët politik të Buzhalës, kur kishte kaluar në politikë, thoshte se “pas lufte i është gjetur babai në një bunar, i futur aty nën akuza për tradhti dhe bashkëpunim me forcat serbe”.

Basha kur përshkruan opozitën lëshon edhe më shumë nivelin, si në drejtshkrim si në artikulim. “E dimë që e kemi opozitën ma t’flliqtë, ku për herë t’parë në histori i kemi palu komplet edhe po ua ngushtojmë rrethin”.

Deputeti në fund premton se “s’ka mu ndal t’i luftu flliqësirat që e shesin vendin me grenella, vuqiça e radojqiça, e as analfabetat që i shesin edhe fëmijët veq me djeg Albin Kurtin”.

Shënim: Citatet e Bashës nuk janë lekturuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore