Lajme

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Çeki


Andrej Babish dhe Petr Pavel

Ish-kryeministri Andrej Babish dhe ish-gjenerali Petr Pavel do të përballen me njëri-tjetrin më 27 dhe 28 janar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën Çeke pas përfundimit të raundit të parë të organizuar më 13 dhe 14 janar.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Çeki midis ish-kryeministrit Andrej Babis dhe gjeneralit të pensionuar të NATO-s Petr Pavel portretizohet si një garë midis oligarkisë populiste dhe demokracisë liberale.

Qendrat e votimit në të gjithë vendin do të hapen në orën 14:00 të së premtes dhe do të mbyllen në orën 22:00 ndërsa votimi do të vazhdojë të shtunën nga ora 08:00 deri në orën 14:00.

Rezultatet e zgjedhjeve, të cilat do të publikohen vazhdimisht nga Enti i Statistikave, sipas përvojës së mëparshme, shpallen brenda pak orëve pas mbylljes së vendvotimeve.

Një pjesëmarrje e lartë votuesish pritet në raundin e dytë të zgjedhjeve pas një fushate zgjedhore agresive dhe të ngarkuar emocionalisht që përfundoi para kohe për shkak të ngritjes së tensioneve.

Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive, por ka një rol të rëndësishëm në emërimin e kryeministrit, gjyqtarëve kushtetues, kreut të bankës qendrore dhe kanë të drejtë t’i kthejnë ligjet në parlament. Ata kanë kompetenca të kufizuara në politikën e jashtme.

Sipas vlerësimeve të analistëve çekë përpara zgjedhjeve, cilido kandidat të fitojë do të jetë më pro-perëndimor se presidenti aktual Millosh Zeman që përveç se solli skandale të mëdha, promovoi marrëdhënie më të forta me Kinën dhe, deri në pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar, edhe me Rusinë.

Babish mbështetet nga presidenti në largim kurse Pavel ka mbështetjen e qeverisë çeke të qendrës së djathtë. Agjencitë e basteve vlerësojnë se Pavel ka dhjetë herë më shumë gjasa të fitojë se miliarderi Babish, dhe ai kryeson në sondazhet e fundit të opinionit publik.

Në sondazhet parazgjedhore kryesonin Pavel dhe Babish, ndërsa në raundin e dytë, mes të dyve, Pavel-it i jepet një avantazh i lehtë. Të drejtë vote kanë 8.3 milionë votues dhe raundi i dytë i zgjedhjeve përcakton presidentin e katërt që nga themelimi i Republikës Çeke në 1993 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore