Shqipëria

Raporti optimist për Shqipërinë, ndalet tek media


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në konferencë për shtyp

Çdo qëndrim i raportit të progresit për Shqipërinë përputhet me synimin e Qeverisë… përveç një pike të vetme: media.

Si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, janë në të njëjtën linjë për sa i përket raportit dhe avancimit të Shqipërisë në fusha shumë të rëndësishme të reformave të ndërmarra.

Mbi të gjitha, dakordësia është e përbashkët kur bie fjala për përmbushjen e kushteve nga ana e Tiranës zyrtare, mbi fillimin e bisedimeve për çeljen e negociatave të integrimit në BE.

Por një pikë, i vendos diametralisht kundër BE-në dhe Qeverinë shqiptare dhe ajo i përket medias.

Sipas ambasadorit Soreca, ende ka probleme mbi këtë çështje.

“Shqipëria ka nevojë për të fuqizuar pavarësinë e medias. Ka nevojë për vetërregullim dhe për një ligj të ri për mediat online. Shqipëria duhet të punojë për këtë”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, i dorëzon Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, raport progresin 2021

Me këtë mendim, Rama e tha hapur se nuk bie aspak dakord. Madje, sipas tij, mediat në Shqipëri janë më të lira se në çdo vend tjetër.

Ai arriti deri aty sa kërkesën për liri të medias, ta përkufizonte si “liri të shpifjes”, duke pretenduar se një pjesë shumë e madhe e mediave në vend, kështu e konceptojnë lirinë e tyre, si “liri për të shpifur”.

Ndërsa mbi Agjencinë e Medias, Rama tha se gjithçka është keqkuptuar. Përkundër nga çfarë mendohet nga publiku, sipas tij, kjo agjenci më shumë i vjen në ndihmë medias, se sa e pengon atë.

Gjithsesi, përtej shtypit, për Soreca-n dhe për BE-në, Shqipëria mbetet 100% në përputhje me politikat e unionit. Në veçanti, me ato për politikat e jashtme dhe të sigurisë.

Shqip-Anglisht|Shqip-Shqip

Dialog ndërmjet palëve politike shqiptare, të ndërmjetësuar nga të huajt, nuk do të ketë më.

Të paktën, jo për sa kohë Edi Rama dhe Partia Socialiste të jenë në pushtet.

Këtij fakti i ka mëshuar ai vetë, gjatë konferencës, kur u pyet mbi amendamentet e propozuara nga opozita.

“Do të dëgjojmë dhe duam të dëgjohemi. Cilësia e jetës nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si biem dakord. Është tjetër gjë të mos biesh dakord me frymë konstruktive diskutimi dhe tjetër gjë të shkulesh prej flokësh”.

Tryezë pozitë-opozitë mbi reformën zgjedhore, qershor 2020

Kështu e përshkroi Rama situatën aktuale ku diskursi pozitë-opozitë gjendet në Shqipëri.

Kështu, kreu i Qeverisë la një shteg tërësisht të hapur për t’u ulur mbi përmbajtjen e kërkesave të Partisë Demokratike.

Ambasadori i BE-së ka inkurajuar gjithashtu opozitën që të ulet në tryezën e diskutimit. Ai nuk ngurroi as të nënvizojë gatishmërinë për asistencë në çdo çështje që do të kërkohet.

Brenda vitit?

Në fund të çdo gjëje, interesi primar shtrohet mbi një pyetje: Kur do të çelen negociatat për Shqipërinë?

Ambicia e vet BE-së tashmë, është që ato të nisin brenda vitit. Situata e ndërlikuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duket se do ta bëjë shumë të vështirë këtë afat.

Ndarja e mundshme e Tiranës nga Shkupi, nuk është përmendur, gjë që e bën vijimin e rrugës shqiptare si e vetme një vegim të largët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev

Për më shumë se një vit, Shqipëria është gati, sipas të gjithëve. BE-ja, e cila ka qenë gati, tashmë nuk është e tillë.

Raporti flet qartësisht për një progres të pakundërshtueshëm dhe për plotësim të kushteve.

Se sa të mjaftueshme do të jenë këto premisa për fillim të negociatave brenda vitit, është një faktor që veç nga Shqipëria nuk varen. Ndaj, mbetet për t’u testuar premtimi i radhës evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore