Lajme

Raporti i DASH-it, Deliu-Kodra: Shpërfaqë paaftësinë e kësaj qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptuara


Blerta Deliu-Kodra

“Se në çfarë gjendje e ka sjellur vendin Qeveria Kurti, flet më së miri Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili shpërfaq më së miri paaftësinë e kësaj Qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptura dhe kredibile”, ka thënë Blerta Deliu-Kodra.

Këto komente, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që të hënën Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për Kosovë tha se ka korrupsion serioz qeveritar.

“Raporti flet për korrupsion serioz qeveritar dhe mosndëshkim të zyrtarëve qeveritar, probleme me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, dhunë të gjerë me baza gjinore, përfshirë dhunë në familje, krimet të dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera”, shkroi ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen në një Qeveri, siç potencoi ajo, “në të cilën politikanët tentojnë të frikësojnë mediat”.

Çka thuhet në raport?

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të të publikuar këtë të hënë me 22 prill.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

“Korrupsion serioz qeveritar, dhunë dhe kërcënime për gazetarë, kufizime serioze në lirinë e shprehjes”, raporti i DASH-it shumë i rëndë për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore