Kosova

“Raportet Kosovë-Greqi po afrohen çdo ditë e më shumë”


Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Raportet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë.

Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një cicërime në Twitter, pas darkës me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias, të mërkurën.

“Është dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, është shprehur Kurti.

“Kënaqësi që prita në darkë mbrëmë, ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias”, ka shkruar Kurti në Twitter të enjten në mëngjes.

Të mërkurën, Dendias në Kosovë u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanit i ka kërkuar ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe në NATO.

“Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e presidentes.

Sipas njoftimit, në takim është shprehur gatishmëria për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, kryeministri Kurti është takuar edhe në korrik të vitit të kaluar, gjatë qëndrimit të tij në Greqi.

Njoftimin për këtë takim e kishte publikuar vetë Dendias duke treguar se me Kurtin kishin biseduar për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), dialogun Kosovë – Serbi dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore