Shqipëria

Rama zbulon “Buxhetin 2023”, në fokus familjet dhe biznesi i vogël


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar gjatë punimeve të Kuvendit disa pika thelbësore nga buxheti i vitit 2023.

Sipas tij, në qendër të saj do të jetë mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga kriza për shkak të inflacionit të luftës.

“Mbrojtja e familjeve nga çmimi i energjisë është thelbi dhe ashtu siç është mbrojtja e biznesit të vogël”, u shpreh fillimisht Rama për buxhetin e vitit 2023.

Kreu i qeverisë shtoi se do të rritet edhe njëherë niveli i pagës minimale, nga 36 mijë lekë në 38 mijë lekë të reja.

“Nga kjo rritje”, theksoi Rama, “janë 21 milionë dollarë që përfitohen drejtëpërdrejtë nga ata që paguhen me pagën minimale”.

Ai kujtoi se për 100 mijë familje janë 3 mijë e 500 lekë që shtohen çdo muaj falë rritjes së këtij viti.

Rama garantoi se do të vazhdojë edhe rritja e pagave 6 për qind për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe zjarrfikësit.

Kryeministri paralajmëroi një rritje tjetër të pagës për ushtarakët.

“Do vazhdojmë të mbështesim familjet duke rritur nivelin e pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë. Janë 70 mijë punonjës që paguhen me 50 mijë lekë, efekt 1.2 miliardë lekë që s’do paguajnë taksë mbi pagën”, vijoi kreu i qeverisë.

Për Ramën, risia në buxhetin e vitit të ardhshëm do të jetë përveç dyfishimit të ndihmës për nënat me dy apo më shumë fëmijë dhe të moshuarit që nuk marrin pension pleqërie.

“Përveç indeksimit të pensioneve, do vijojmë me bonusin e fundvitit, do ua japim në fillim të dhjetorit. Në buxhetin e ri kemi sërish bonusin e fund vitit”, vërejti kryeministri.

Ai sqaroi se borxhi është 68.8 për qind aktualisht dhe parashikohet të shkojë në 67.5 për qind.

Ndërsa rritja ekonomike këto vitet e fundit ka qenë më e lartë se huamarrja.

Në përmbyllje Rama deklaroi se buxheti i vitit 2023 është dyfishi i vitit 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore