Shqipëria

Rama thotë se mandati do të mbyllet me pagë minimale 45 mijë lekë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se mbyllja e mandatit qeverisës do të jetë me pagë minimale 45 mijë lekë, nga 38 mijë që ishte objektivi elektoral.

Lajmi u bë i ditur në median sociale “Facebook”, duke cituar statusin e kreut të Qeverisë.

“Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lekë, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Evropën!”, u shpreh fillimisht Rama.

Kryeministri kujtoi se Shqipëria ishte e fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit do të ngjitet në vendin e tretë baras me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

“Kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të ri-ekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill”, shtoi ai.

Në përmbyllje, Rama vërejti se përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshira.

“Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, shkruan kreu i ekzekutivit.

Do të jetë një rritje e menjëhershme prej 6 mijë lekësh ajo për pagën minimale në Shqipëri, e cila prej datës 1 prill 2023, do të bëhet 40 mijë lekë, nga 34 mijë që është aktualisht.

Kështu deklaroi më 1 mars ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për shtyp të dhënë pas marrjes së vendimit të Qeverisë.

Siç bëri me dije ministrja, kjo pagë do t’i atribuohet si sektorit publik, edhe atij privat dhe reflekton një rritje prej 17 për qind në krahasim me pagën që është aktualisht në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore