Shqipëria

Rama, thirrje qytetarëve për pyetësorin e ‘Këshillimit Kombëtar’


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një videomesazhi të publikuar në median e tij sociale, u bërë thirrje qytetarëve, që të plotësojnë pyetësorin e nismës “Këshillimi Kombëtar”.

“Unë besoj se ne shqiptarët që kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara duke dëgjuar njëri-tjetrin”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Rama ka njoftuar se pyetësori është shpërndarë në shtëpitë e qytetarëve.

Numri një i Qeverisë ka shpjeguar edhe mënyrën e dorëzimit të tij.

Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim.

Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes.

“Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”, ka finalizuar ai deklaratën e tij.

Pyetësori

Fillimisht në formular parashtrohet pyetja nëse nënat me tre ose më shumë fëmijë meritojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.

Së dyti, parashtrohet ashpërsimi ose jo i dënimit të autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit – dyfishim të dënimit.

Një nga pyetjet lidhet edhe nga largimet e padrejta nga puna, ku shteti të mbrojë të punësuarit nëse vërtetohet që kanë pasur të drejtë.

Në rrafshin social, qytetarët do të pyeten edhe për pensionistët që ende punojnë dhe nuk duhet të paguajnë kontribute.

“Amnisti e plotë për emigrantët që duan të depozitojnë në Shqipëri”, ishte një çështje tjetër.

Një nga pikat që do ketë dhe interes do të jetë dhe debati publik mbi kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit.

Referuar kohës, qeveria do të pyesë qytetarët edhe për aplikimin me detyrim të certifikatave të vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura.

Sa i takon ashpërsimit të masave, do të ketë pyetje kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh dhe subjekteve apo individëve që ndotin hapësirën publike.

“Gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht”, është një tjetër pyetje që qytetarët do të mund t’i përgjigjen.

Në përmbyllje, do të kërkohet edhe mendimi i qytetarëve për ndarjen e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE nga ajo e Maqedonisë së Veriut.

Apo nëse krijimi i nismës “Ballkani i Hapur” është në interes të Shqipërisë.

Qytetarët do të fillojnë të marrin letrën e Këshillimit Kombëtar, sipas njoftimi të kryeministrit, i cili ka si qëllim “për të marrë opinionin lidhur me një sërë temash”.

“Synimi është që këto përgjigje të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi me njerëzit. Dëgjim pak më të thellë me njerëzit. Pa asnjë obligim, thjesht kontribut”, ravijëzoi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore