Shqipëria

Rama takohet me Charles Michel për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Bruksel në orët e mesditës të së hënës, ku është takuar me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Lajmi u bë i ditur nga Këshilli i Evropës, duke postuar pamjet nga takimi i dy krerëve.

Lidhur me këtë zhvillim, kryeqeveritari u ndal gjatë në një status në median sociale “Twitter”.

“Do t’i përcjell mikut tonë (Charles Michel – ed.) shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkruan Rama.

Sipas tij, fatkeqësisht së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek “fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”.

Kjo, ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin, shtoi kryeministri shqiptar.

“Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Evropës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, argumenton kreu i Qeverisë.

Pas dërgimit të letrës në adresë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, kryeministri shqiptar Edi Rama vijon përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri një i Qeverisë u shpreh para tre ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbëtarët e planit franko-gjerman dhe që ky plan të zbatohet me doemos”, ishin fjalët e tij.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Kryeministri shqiptar ka propozuar më herët një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

‘Basti’ i dikurshëm i Daytonit dhe risku i një ‘Konference normalizimi pa të drejtë daljeje’ për Kosovën dhe Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore