Shqipëria

Rama: Skavica na pengon që t’i marrim ujit maksimumin energjetik


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se për të fituar pavarësinë dhe maksimumin energjetik nga uji duhet Hidrocentrali i Skavicës.

“Është e rëndësishme që të fitohet pavarësia e plotë energjetike dhe ne do ta fitojmë pavarësinë energjetike, ne jemi në atë rrugë sepse kemi tre komponentë. I pari komponent që na pengon ne që nga uji të marrim maksimumin është mungesa e Skavicës që na bën që në infrastrukturën më të madhe të vendit lart në kaskadën e Drinit ne të mos marrim dot maksimumin sepse kur ka shumë reshje dhe prurje ne duhet ta derdhim sepse s’kemi ku e rezervojmë”, u shpreh fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, Skavica do të jetë rezerva e kaskadës, pra ujin e tepërt e lë atje dhe e ke kur të duhet.

“Skavica do të na bëjë një kompensim të madh në këtë pikë”, shtoi kryeministri.

Ai përmendi edhe dy parqet e mëdha fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë dhe teknologjinë e erës, si ankandi i Ibrit mes komponentëve të tjerë.

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për HEC-in e Skavicës.

Projekti vlerësohet të kushtojë rreth gjysmë miliardë euro gjatë pesë viteve të ndërtimit.

Ai synon ta bëjë sistemin hidroenergjetik të Shqipërisë më pak të varur nga moti.

Puna përgatitore për atë që do të jetë projekti më i madh i ndërtimit në Shqipëri që nga rënia e komunizmit në 1991, vjen ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor – krahas Evropës dhe Perëndimit – përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga importet e gazit rus.

Diga është parashikuar të rrisë prodhimin vendas të energjisë së Shqipërisë me 20 për qind, me shpresën se do ta transformojë vendin në një eksportues të energjisë së pastër.

Bechtel, kompania më e madhe e ndërtimit në SHBA, është punësuar nga Qeveria shqiptare për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën, e cila do të jetë në pronësi publike.

Kompania me bazë në Virxhinia ishte njëra nga një konsorcium kompanish që ndërtuan Digën Hoover në vitet 1930 në kufirin midis Nevadës dhe Arizonës.

Skavica dhe etapat e saj

Faza e parë e nisjes së punimëve për realizimin e projektit – studimin gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe përfundimin e vlerësimit social – nisi më 2 tetor me prezencën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim.

“Bechtel” e nënshkroi kontratën me ministren Balluku, më 5 korrik.

Gjatë çeljes së punimeve u bë me dije se kjo fazë vlerësohet të përfundojë në nëntor të vitit 2022.

Ndërsa ndërtimi i uzinës pritet të zgjasë rreth katër vjet. Në fazën e dytë do të fillojë puna për ndërtimin e HEC-it.

Këshilli i Ministrave më 4 mars miratoi projektligjin, sipas të cilit kompanisë “Bechtel” iu dha autorizimi për të projektuar dhe ndërtuar hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.

Ky projekt mori dritën jeshile vitin e kaluar, më 3 tetor, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e projektit.

Hidrocentrali do të jetë i aksesueshëm si nga Rruga e Kombit, ashtu dhe nga Rruga e Arbrit.

Përfitimet e këtij projekti do të prekin fusha të ndryshme, si: peshkimi, turizmi edhe punësimi.

Më herët, kryeministri Edi Rama u shpreh se kontributi i këtij projekti në vlerat ekonomike shqiptare do të jetë shumë i lartë.

Në maj të 2020-ës, kryeministri tregoi se ky hidrocentral do të ndërtohej me fondet e qeverisë shqiptare, por më pas vendimi ndryshoi.

HEC Skavica është vepra energjetike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore