Shqipëria

Rama: Si mund të akuzohen investitorë kalibri për “pazarllëqe Gërdeci”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama parashtroi në median sociale Twitter se si mund të akuzohen investitorë kalibri si Muhammed Al Abbar “për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”.

Ky ishte reagimi i radhës i kreut të qeverisë për marrëveshjen ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili kontestohet nga opozita.

“Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!”, shkruan fillimisht Rama.

Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit që “është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës”.

“Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”, shtoi në qëndrimin e tij Rama.

Ai ironizoi në vijim duke shkruar se investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejt ekonominë kombëtare, “trajtohet si aferë katundi për pula”.

Kjo, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet “si defter hallvaxhinjsh”.

“Shteti shqiptar ortak me 33 për qind në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 euro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33 për qind për vete apo siç e kishin zakon të thoshin gjys për gjys'”, sqaroi Rama.

Kujtojmë që projektligji për portin e Durrësit pritet të diskutohet më 24 nëntor në Kuvend, pasi kaloi me procedurë të përshpejtuar.

Kreu i qeverisë paralajmëroi në përmbyllje se në seancën e ardhshme parlamentare do të ndahen të gjitha faktet me shqiptarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore