Shqipëria

Rama prezanton platformën e-Transport


Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka prezantuar platformën më të re për transportin ndërqytetës, e-Transport.

Sipas kryeminsitrit, kjo platformë do të menaxhojë dhe monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit. Përafërsisht, mendohet se do të monitorohen 50 milionë bileta udhëtimi në vit.

“Ja e ardhmja e afërt digjitale e transportit rrugor ndërqytetës përmes e-Transport”, shkruan Rama. “Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë inovative do të menaxhojë e monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit”.

Kjo, sipas Ramës, do të sjellë një përmirësim rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit në Shqipëri.

Biletimi do të kryhet nëpërmjet një moduli elektronik online. Këtë shërbim do ta ofrojë vetë aplikacioni ose faqja online. Gjithashtu, mundësi të përfitojnë nga platforma do të kenë edhe vetë agjencitë e udhëtimit.

Aplikacioni do të jetë falas. Mundësi qasjeje nga ana e bizneseve, do të kenë 520 linja udhëtimi. Operatorët përftues do të jenë 242. Ndërkaq, për sa u përket mjeteve, janë 2 mijë e 282, të cilët përfshihen në skemë.

Të gjitha informacionet do të ruhen në servera, për të krijuar kështu një databazë elektronike të udhëtimeve. Kjo, do të përmirësojë shërbimin e transportit ndërqytetës në gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore