Shqipëria

Rama përshëndet punën e trupave shqiptare në Turqi


Të shtunën e 18 shkurtit tre skuadra shqiptare, të përbëra nga 85 trupa, mes të cilëve efektivë të Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile dhe ekipeve shëndetësore, e kanë përmbyllur misionin e tyre në Turqi.

Kjo, në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti i 6 shkurtit, i cili ka lënë mbi 46 mijë të vrarë në Turqi dhe Siri.

Për këtë zhvillim të fundit, kryeministri shqiptar Edi Rama është shfaqur krenar dhe ka përshëndetur punën e të treja skuadrave.

“Krenari dhe respekt për 3 skuadrat e vajzave e djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Shërbimi Shëndetësor, të cilët përgjatë 11 ditëve e netëve u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga tërmeti katastrofik në Turqi”, shkruan fillimisht kreu i Qeverisë, duke cituar statusin në median sociale “Facebook”.

Sipas tij, trupat shqiptare kthehen në atdhe, duke marrë me vete respektin e mirënjohjen e popullit turk, të mediave e të autoriteteve turke, që njëzëri e kanë vlerësuar Shqipërinë “si vendi i vogël me zemër të madhe”.

Pas 11 ditësh pune intensive, trupat shqiptare u përcollën nga homologët turq, por edhe qytetarët e thjeshtë, duke i falënderuar për shërbimin.

Koloneli Elton Reso, në përmbyllje të misionit qartësoi edhe bilancin, duke thënë se përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit, janë nxjerrë nga ekipet shqiptare 26 persona të bllokuar nën rrënoja, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar.

Si një çast shumë emocionues, ai ka përkujtuar momentin kur nga rrënojat është nxjerrë një vajzë e vogël, e cila i kishte mbijetuar tërmetit.

Ekipet shqiptare kanë qenë të vendosura kryesisht në zonën e Malataya-s, në koordinim edhe me emergjencat turke, për të maksimizuar mundësinë e suksesit të operacioneve.

Shqipëria ka qenë ndër të parat vende, të cilat u solidarizuan me Turqinë dhe dërguan që ditën e parë pas tërmetit, një ekip kërkim-shpëtimi, për të ndihmuar me rrethanat e ngjarjes.

Po ashtu, një shumë paraprake prej 1 milion dollarësh, është dhënë nga Shqipëria si donacion për Turqinë, e cila pret edhe një konferencë donatorësh të mbajtur nga vendet e Bashkimit Evropian, për të mbledhur të tjera fonde për rindërtimit.

Në perspektivë, pas tërmetit të fuqishëm të rënë në Shqipëri më 26 nëntor 2019, ku të vdekur mbetën 51 persona, Turqia ka qenë ndër të parat vende, të cilat e ndihmuan Shqipërinë.

Me nismë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, po ashtu, shteti turk mundësoi ngritjen nga e para të një lagjeje në Laç, ku iu dha një jetë e re banorëve aty, me rreth 500 apartamente të ndërtuara në blloqe pallatesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore