Shqipëria

Rama përgëzon Hysenin për postin e ri në krye të SHISH-it


Drejtuesja më e re e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni ka marrë përgëzimet e autoriteteve shqiptare për emërimin në këtë detyrë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Zyrtarja shqiptare është shfaqur krah kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrave të angazhuar me sigurinë e vendit si Ulsi Manja, Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi.

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës. Urime!”, shkruan kreu i Qeverisë në median sociale “Facebook”.

Vlora Hyseni, një nga kuadrot më të përgatitura në fushën e inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë, u propozua më herët nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për drejtuese të inteligjencës shqiptare.

Kjo, sipas kreut të qeverisë “me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.

Kush është Vlora Hyseni

Vlora Hyseni dikur kishte udhëhequr AKI-në (Agjencia Kosovare e Inteligjencës) për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti, kishte mbetur pa drejtor.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni, nga informacionet që ka siguruar Albanian Post nga ish-kolegë të saj në AKI, përshkruhet si një eksperte e jashtëzakonshme e çështjeve të sigurisë dhe njohëse shumë e mirë marrëdhënieve ndërkombëtare.

Më 28 shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtore në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ajo ishte emëruar për një mandat pesë vjeçar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kur u emërua, u tha se ajo flet disa gjuhë të huaja.

Por, paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Por 2 vite pas marrjes së mandatit si zëvendësdrejtore në AKI, më 30 qershor 2021, ajo u shkarkua nga kjo pozitë.

Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin marrë vendim për ta shkarkuar.

Pa dhënë asnjë arsyetim për shkarkimin e saj, zyra e kryeministrit kishte treguar se Vlora Hyseni u shkarkua, duke u mbështetur në nenin 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja e kishin paralajmëruar Hysenin se mos ruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftim.

Në fakt, nga ajo që dihet jo zyrtarisht, e vetmja arsye përse Hyseni u shkarkuar kishte të bënte me lëvizje politike të duos Kurti-Osmani, prandaj edhe në njoftimin për shkakrim, nuk ishte dhënë asnjë arsye.

Për shkak të pozitës, Hyseni nuk ka zhvilluar profil publik dhe as nuk ishte deklaruar për shkarkimin e njëanshëm të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore