Shqipëria

Rama për Greqinë: Fqinje e mirë dhe në luftë, “dashuri tipike-ballkanike”


“Në mënyrë zyrtare, çuditërisht jemi në luftë me ta”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për “ligjin e luftës” që Greqia ka me Shqipërinë.

“Unë shpresoj që pala greke ta heqë”, vijoi ai, duke e cilësuar nënshkrimin e traktatit të miqësisë në 1996 si “gjë e mirë”, por sipas kësaj, “na duhet të jemi fqinj të mirë dhe në luftë njëkohësisht”.

Ndërsa për çështjen e detit, mes Greqisë dhe Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë tha se “kemi vendosur të shkojmë në Gjykatën e Hagës”.

Mbajtur të mërkurën e 23 qershorit, në Forumin Ekonomik të Shkupit, Rama u shpreh se Shqipëria ka nevojë për “një arbitër”, për sa i përket kësaj çështjeje.

“Jemi ballkanikë, jemi mesdhetarë, jemi pasionontë dhe nuk e kemi të lehtë të jemi objektivë. Na duhet një arbitër”, tha ai, duke shprehur dhe mirënjohjen ndaj vendit fqinj, Greqisë, për dërgimin e çështjes së detit në Gjykatën e Hagës.

Po ashtu, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe raportet dypalëshe me Greqinë, që sipas tij “janë një ndër problemet për t’u zgjidhur”.

“Jam shumë i befasuar nga puna e kryeministrit dhe ministrave grekë. Janë shumë mendjehapur dhe janë persona që nuk shohin përjashtime, por përfshirje”, shpjegoi Rama marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë.

Çështja e detit

Kjo çështje e radhës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, filloi më 20 janar 2021, kur Parlamenti i Greqisë miratoi projektligjin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje në Detin Jon.

Këtë hap, Greqia e ndërmori në bazë të Konventës mbi të Drejtën e Detit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo solli debate dhe diskutime të shumta, për shkak se zgjerimi prek ujërat territorialë të zonave ekskluzive ekonomike të Shqipërisë sipas ekspertëve.

Çështja mori një tjetër rrjedhë, kur në të u përfshi edhe një palë e tretë, si Turqia, pasi Greqia zgjerohej edhe në Egje me 12 milje.

Mbi një dekadë më parë, në vitin 2009, një marrëveshje e qeverisë Berisha me atë greke, ishte arritur për kufijtë detarë me grekët. Mirëpo, kjo marrëveshje u pa në shkelje të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Kësisoj, u shfuqizua, duke i lënë dy vendet pa marrëveshje.

Me pretendimin e ri të Greqisë për zgjerim, lindi edhe nevoja e re për bisedime midis palëve. Kjo, pasi ato ishin pezulluar për vite me radhë.

Gjendja e tanishme vjen si insistim i qeverisë shqiptare se “çështja, duhet vlerësuar nga një palë e tretë”.

Ndaj, pavarësisht se sot ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi si palët do të paraqiten në gjykatën e Hague-ës, mundësia mbetet se ai do të rakordohet midis vendeve dhe nuk do të mbetet i harruar.

“Ligji i luftës” mes Greqisë dhe Shqipërisë

Mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve si armike”. Njëkohësisht, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë.

Më pas, vjen ratifikimi i Traktatit të Miqësisë, Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë, firmosur në mars të vitit 1996, e cila e zhbën marrëdhënien armiqësore mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, bëhet zyrtari i parë që deklaron publikisht se pikëpamja shqiptare se ka një ligj lufte dhe se ai duhet shfuqizuar në të gjitha drejtimet dhe me plotfuqinë e dekretit që e sanksionoi, qëndron.

Në maj 1971, në Greqi kryhet grusht shteti, dhe vjen në fuqi ushtarake e kolonelëve grekë me në krye Papadhopulin. Dhe ishte pikërisht ky ushtarak, që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

Ligji i ndarë në 2 pjesë

Ky veprim i qeverisë greke, nga njëra anë, shfuqizonte plotësisht pjesën politike të dekretit. Pra, atë të heqjes së “ligjit të luftës”, ndërsa shtojcën që fliste për pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk e prekte fare. Dekreti u hoq i pjesshëm.

Në nivel politik, çështja mori tjetër zhvillim në vitin 1981. Në muajin mars të këtij viti, deputetët e majtë, Anastasios Peponis dhe Iotas kërkuan nga qeveria greke heqjen e menjëhershme të Ligjit të Luftës me Shqipërinë dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në vitin 1983, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Marudas, deklaronte se qeveria greke do të diskutonte me Shqipërinë – çështjen e statusit ligjor të Ligjit të Luftës. Në vitin 1984, Carolos Papulias, asokohe ministër i Jashtëm, e cilësonte ligjin e luftës si pengesën e fundit për zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Rivali i tij opozitar, Contantine Mitsotakis, e kundërshtoi ashpër këtë qëndrim, duke cilësuar se kushtet e jetesës së pakicës greke në Shqipëri e bënin të papranueshëm heqjen e ligjit në fjalë.

Qeveria greke e ripërsërit vullnetin e saj më 3 dhjetor 1987 kur Karolos Papulias deklaroi në Parlament se: “Vendimi i qeverisë greke për të avancuar në heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, përbën një akt të lartë politik që iu përgjigj plotësisht ndjenjave paqedashëse të shumicës dërrmuese të popullit grek”.

Kështu, në vitin 1999, qeveria greke njoftonte Ambasadën Shqiptare në Athinë përmes një note verbale se “ligjet për pronat në sekuestro konservative janë akoma në fuqi”.

Që nga kjo kohë e deri më sot, pala greke nis përdorimin e Traktatit të Miqësisë së vitit 1996 si argument për të interpretuar se ky dokument duhet konsideruar si përfundimtar në drejtim të kësaj çështjeje. Konkretisht këtë deklaroi në vitin 2003 kryeministri Costas Simitis, gjatë një takimi me Fatos Nanon, sipas të cilit:

“Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i ratifikuar nga të dy Parlamentet, ai i Greqisë dhe Shqipërisë i ka dhënë fund në mënyrë ligjore Ligjit të luftës, duke e mbyllur këtë çështje dhe tashmë të dy palët po angazhohen dhe do të vazhdojnë punën për zgjidhjen në mënyrë teknike të problemeve të krijuara nga ky moment. Juridikisht nuk ekziston ligji i luftës”.

Në vitin 2011, mediat greke publikuan një letër të Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare Publike pranë Departamentit Ligjor të Ministrisë së Jashtme greke, e datës 16 nëntor 2007, ku në mënyrë të qartë thuhet:

“…që nga 10 nëntori 1940, shtetet e Italisë dhe Shqipërisë përkufizohen si shtete armiqësore në kuptimin e ligjit të detyrueshëm Nr. 2636/1940”.

Si u rihap çështja?

Çështja rihapet në nivel politik në tetor të vitit 2013, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Venizellos në Tiranë. Kërkesës së homologut Ditmir Bushati, Venizellos i dha këtë përgjigje:

“Situata paqësore mes dy vendeve është shpallur zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të Greqisë në vitin 1987”.

Ky qëndrim i rikonfirmuar edhe në takimin me presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Në mars të vitit 2016, pas takimit me homologun Bushati, ministri Nikos Kotzias do të shprehej se “Greqia nuk është në luftë me Shqipërinë. Kjo duket nga Vendimi i vitit 1987 të Këshillit të Ministrave”

Do të vinte muaji qershor i vitit 2016, kur Kotzias do të rrumbullakoste deklaratat:

“Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të vitit 1987, ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Nëse ekzistojnë nga pala tjetër dyshime, nëse jemi apo nuk jemi në luftë, do të jetë objekt i një diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë të dyja palët një përgjigje të kënaqshme për të”, tha ai.

Kotzias do të deklaronte pas takimit të Kretës, se ligji i luftës duhet shfuqizuar me të njëjtën plotfuqi autoriteti me të cilin hyri në fuqi. Më 20 dhjetor të vitit 2017, Kotzias do të shprehej në një intervistë për televizionin shtetëror grek se:

Çështje prioritare, abrogimi i ligjit të luftës. Pasojat ligjore do të përfshihen në një proces të posaçëm në vijim. Sipas këndvështrimit tim, mënyra me të cilën Greqia i shpalli Luftë shqiptarëve u bë me Dekret Mbretëror.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore