Shqipëria

Ekskluzive/ S’ka marrëveshje – ashtu siç u raportua – për çështjen e detit


Nuk ka asnjë marrëveshje mbi dërgimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hague-ës të çështjes së zonave ekskluzive ekonomike të detit Jon, midis Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrejt raportimeve të disa mediave greke se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis, kishin “shtrënguar duart” për detajet e fundit.

Kjo është konfirmuar për Albanian Post nga burime pranë Kryeministrisë. Ndër të tjera, bëhet me dije se takimi Rama-Mitsotakis “zgjati fare pak” dhe nuk bëhet e ditur nëse çështja e detit ishte pjesë e bisedës.

Më herët, media greke si ANT1 apo Kathimerini, shpalosën kryetitujt se një “marrëveshje ishte arritur për dërgimin e çështjes në Hague”.

Pavarësisht tyre, gjithçka është përgënjeshtruar tashmë, duke e kthyer pozitën detare midis dy vendeve aty ku gjendej që prej janarit: Në pritje të përpilimit të detajeve përfundimtare.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pati deklaruar në atë periudhë se duhej pritur rezultati zgjedhor i 25 prillit, për të vijuar procesin.

Fitorja e socialistëve është certifikuar për një mandat tjetër katër vjeçar, por mbi brendinë e çështjes së detit ende nuk është folur.

Çështja e detit

Kjo çështje e radhës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, filloi më 20 janar 2021, kur Parlamenti i Greqisë miratoi projektligjin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje në detin Jon.

Këtë hap, Greqia e ndërmorri në bazë të Konventës mbi të Drejtën e Detit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo solli debate dhe diskutime të shumta, për shkak se zgjerimi, prek ujërat territorialë të zonave ekskluzive ekonomike të Shqipërisë sipas ekspertëve.

Çështja mori një tjetër rrjedhë kur në të u përfshi edhe një palë e tretë si Turqia, pasi Greqia zgjerohej edhe në Egje me 12 milje.

Mbi një dekadë më parë, në vitin 2009, një marrëveshje e qeverisë Berisha me atë greke, ishte arritur për kufijtë detarë me grekët. Mirëpo, kjo marrëveshje, u pa në shkelje të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Kësisoj, u shfuqizua, duke i lënë dy vendet pa marrëveshje.

Me pretendimin e ri të Greqisë për zgjerim, lindi edhe nevoja e re për bisedime midis palëve. Kjo, pasi ato ishin pezulluar për vite me radhë.

Gjendja e tanishme, vjen si insistim i Qeverisë Shqiptare se “çështja, duhet vlerësuar nga një palë e tretë”.

Ndaj, pavarësisht se sot ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi si palët do të paraqiten në gjykatën e Hague-ës, mundësia mbetet se ai do të rakordohet midis vendeve dhe nuk do të mbetet i harruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore