Shqipëria

Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS-së: Nga zgjedhja e Presidentit tek Asambleja Kombëtare në fokus


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasditen e 4 majit ka deklaruar se në fokus të diskutimeve të kryesisë së Partisë Socialiste ishin kandidaturat për President të Republikës, si dhe Asambleja, e cila do të zhvillohet të shtunën e 7 majit.

Po ashtu, Rama bëri të ditur se u diskutua për zgjedhjet në parti për kryetarët e të gjitha njësive, si dhe miratuan një sërë dokumentesh që buronin nga Kongresi Kombëtar i 9 prillit. Këto do të miratohen në Asamblenë Kombëtare që do të mbahet të shtunën.

Në Kongresin e zhvilluar u miratuan disa ndryshime statutore dhe u shkarkuan kryetarët në 61 degët e saj në vend.

Ndërsa sa i përket zgjedhjes së Presidentit, kreu i qeverisë u shpreh se, “sot kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera në Kuvendin e Shqipërisë, në përpjekje për të identifikuar një kandidaturë me konsensus”.

Rama u pyet nga gazetarët rreth kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy, një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, i cili kërkoi ndalimin e turistëve rusë në vendin tonë.

Kreu i socialistëve u shpreh i prerë se, “vendimet tona janë të linjëzuara me Bashkimin Evropian. Në rast se do të ketë një vendim të tillë nga BE-ja, edhe ne do të ecim me të njëjtën linjë”.

Për më tepër, shtoi ai, Shqipëria do të ofrojë në Varshavë – ku do të mbahet konferenca e donatorëve për Ukrainën – një ndihmë monetare për ukrainasit.

Numri një i qeverisë nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve për renditjen e Shqipërisë në vendin e 103-të nga Reporterët pa Kufij.

Sipas raportit, vendi ynë kishte rënë 20 pozicione nga viti i kaluar.

Ai u shpreh i qartë se, “në asnjë vend të rajonit mediat nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri. Pavarësisht indekseve dhe raporteve që dalin”.

“Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit. Ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar”, tha Kryeministri.

Në përfundim të fjalës, Rama u ndal sërish te zgjedhja e Presidentit të Republikës. Ai u shpreh i hapur për të dëgjuar kandidaturat e opozitës.

“Nëse do të vijë një kandidaturë e pëlqyeshme, do të ketë 100% miratimin tonë. Nëse jo, do të vazhdojmë me propozimet tona. Ne nuk jemi ulur në tryezë me paragjykime, do të gjykojmë mbi emra me palë të tjera”.

Gjatë kësaj dite u shty mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për më datën 10 maj.

Siç parashikon Kushtetuta e Shqipërisë raundi për votimin e Presidentit duhet të ketë distancën kohore prej shtatë ditësh – afati maksimal – pas mbledhjes së parë.

Për këtë është propozuar data 16 maj për mbajtjen e raundit të parë të votimeve dhe, më pas, vijohet me pjesën siç e përcakton edhe Kushtetuta.

Po ashtu Kushtetuta parashikon që në raundin e parë të votimeve kandidati për President duhet të marrin 84 vota. Mazhoranca socialiste përbëhet nga 74 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.

Socialistët mund ta zgjedhin vetë Presidentin në raundin e tretë të votimeve. Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022. Në krye të shtetit është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore