Shqipëria

Rama inspekton rindërtimin në Laç


Kantieri i rindërtimit në Laç do të përfundojë brenda muajit shtator.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë kryeministri, Edi Rama, gjatë inspektimeve të bëra në lagjen e ndërtuar nga një kompani turke, si investim i Qeverisë së Turqisë dhe asaj të Shqipërisë.

Në tërësi, do të jenë 524 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë.

E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.

Krahas lagjes, vijon edhe puna për rindërtimin e godinës së Bashkisë Laç dhe banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ai i Laçit, është vetëm një nga kantieret e rindërtimit në Shqipëri. Zona të tjera të prekura, janë ajo e Durrësit, Kavajës, Shijakut dhe një pjese të Lezhës, ku kantiere të ngjashme janë ngritur për të zhvilluar zonat post-tërmet.

Në kryeqytet, ka pasur po ashtu investime të mëdha infrastrukturore për këtë çështje.

Programi i rindërtimit do të vijojë edhe përgjatë mandatit të tretë Rama. Arben Ahmetaj do të vijojë të jetë në krye të programit, tashmë si zëvendëskryeministër.

Fonde të shumta për këtë program janë dhënë nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, edhe nga vende të tjera, në shenjë solidariteti me Shqipërinë.

Pandemia e COVID-19, e ka ngadalësuar disi procesin, duke shtyrë edhe datat e përfundimit të kantiereve. Gjithsesi, një pjesë e mirë e tyre do të mbyllen brenda vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore