Shqipëria

Rama: Informaliteti në ulje pas aksionit – po mendohet publikimi i gjithë pagave në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 16 maj ka zhvilluar një konferencë për ecurinë e Njësisë Speciale Antiinformalitet.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se formalizimi i pagave ka dhënë rezultate shumë domethënëse.

Sipas tij, paga mesatare në Republikën e Shqipërisë është rritur pikërisht prej formalizimit. “Kemi 25% të të punësuarve në Shqipëri, që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në një nivel më të lartë”, u shpreh ai, duke shtuar se “në fakt nuk merrnin pagën minimale të deklaruar, por më shumë dhe nuk deklarohej”.

“Perceptimi negativ mbi ekonominë dhe mbi biznesin vetë, për shkak të këtyre deformimeve, ishte prezent shumë më tepër sesa kishte lidhje me realitetin”, u shpreh Kryeministri.

Në vijim, ai tha se, duke marrë shkas nga një “ngjarje aspak e dëshiruar – rrjedhja e pagave të tatimpaguesve shqiptarë”, në pyetësorin e radhës të Këshillimit Kombëtar do të jetë dhe pyetja që pagat njëherë në vit të bëhen publike.

“Besoj se është e udhës, pasi të konsultohet me opinionin publik, që pagat njëherë në vit të bëhen publike”, deklaroi Rama.

Sipas këtij të fundit, kjo eksperiencë “parë edhe nga vende të tjera”, tregon se ka një efekt vetërregullues brenda sistemit.

Në konferencë e pranishme ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe zëvendësministrja e MFE-së, Vasilika Vjero.

Kjo e fundit drejton Njësinë Speciale Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet.

Delina Ibrahimaj
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

Ibrahimaj njoftoi se, në muajin qershor, do të paraqitet ligji i ri i tatimeve mbi të ardhurat.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithë tatimpaguesve që të mos përdorin bonusin me qëllim fshehjen e pagesës së detyrimeve tatimore, të mos përdorin forma të tjera pagesash, por ato që janë të parashikuara në ligj”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se, me ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, do të ketë gjobë 200% në totalin e shkeljeve për evazionin fiskal.

“Do të dyfishojmë gjobën për fshehjen e pagës për bizneset e mëdha. Do të dyfishojmë masën për mosdeklarimin e pagës së saktë dhe do të dyfishojmë gjobat për mosdeklarimin e punonjësve”, e përmbylli Ibrahimaj.

1652692902_Screenshot3.jpg
Zëvendësministrja e MFE-së, Vasilika Vjero

Nga ana tjetër, Vjero konstatoi se 51 % e bizneseve të kontrolluara nuk japin paga për orët shtesë.

“52% e pozicioneve të punës me pagë minimale janë ulur dhe tashmë, në muajin që lamë pas ka pasur një rritje të pagës minimale në thuajse të gjitha bizneset që janë kontrolluar”, vijoi Vjero.

Sa i përket kësaj, ajo paralajmëroi se bizneset, të cilat kryejnë shkelje, do të ndëshkohen me masa administrative.

“Është rritur numri i tatimpaguesve që deklarojnë rritje të pagës. Për të gjithë numrin e tatimpaguesve kemi rritje pozitive”, e përmbylli Vjero.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore