Shqipëria

Rama: Financimet ruse në partitë politike, çështje e një urgjence të madhe kombëtare


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se drejtësia e re ka një çështje të një urgjence të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me financimet ruse të partive politike referuar opozitës shqiptare.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat me menaxherin e Bankës Botërore (BB) për Shqipërinë, Emanuel Salis.

“Këto rublat paskan qenë një shejtan i madh. Na kanë marrë shokë dhe shoqe më qafë. Kjo drejtësia e re duhet t’i japë përgjigje kësaj, sepse kjo është një çështje e një urgjence të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne jemi vend i NATO-s dhe kjo përzierje me ‘konto’ e me ‘off-shore’ kanalesh që çojnë para në drejtim të partive që këtu duan të sjellin lirinë, është problem shumë i madh që drejtësia e re duhet ta adresojë me urgjencë”, theksoi Rama.

Duke sjellë në vëmendje ndalimin nga organet e drejtësisë të ish-zyrtares shqiptare Rovena Voda për “një arkë me peshk”, kryeministri theksoi se kjo nuk është më një “çështje peshqish”, por një çështje peshkaqenësh”.

Televizioni kombëtar “Top Channel” publikoi disa ditë më parë disa dokumenta të cilat sipas tyre faktonin se ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi “ka marrë para ruse”.

Kryetarja e komisionit parlamentar të ligjeve, Klotilda Bushka, deklaroi menjëherë pas publikimit se ky ishte një rast shqetësues, i cili “ekspozonte skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë evropiane: financimin e partive politike.

“Njësoj siç bën partia dhe zëdhenësit e Putin-it kundër zërave kritikë me të! Deputetja Kryemadhi do duhet të sqarojë se çfarë janë këto para…? Çfarë janë këto llogari offshore? Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para? A ka patur ajo biznese me rusët? A ka marrë divident? Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave? E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit?”, shprehej Bushka.

Mafia e inceneratorëve vijon të paguajë portale kombëtare dhe ndërkombëtare për të publikuar “fake news”.

Ishte ky reagimi i parë zyrtar i deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, për Albanian Post, pas publikimit të një artikulli nga organi i pavarur i lajmeve, “EUReporter”, në të cilin shkruhej se Kryemadhi, në vitin 2017, ka marrë pagesa nga kompani offshore, të cilat rezultojnë të jenë të kontrolluara nga oligarkët rusë të naftës, Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.

E pyetur nga Albanian Post mbi çështjen, deputetja e bëri tejet të qartë se gjithë këto akuza, janë të lidhura me atë çfarë ajo cilëson si “mafia e inceneratorëve”, krejtësisht “fake news”, qoftë për artikuj të publikuar nga media kombëtare, apo nga ato ndërkombëtare si EUReporter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore