Shqipëria

Rama: Akuzat për “dëbimin” e studentëve, shpifja më e ulët në 30 vjet


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten e 19 gushtit ka reaguar rreth polemikave për largimin e studentëve nga konviktet, për të akomoduar afganët.

Këto polemika Rama, nëpërmjet një postimi në median socialet Twitter, i ka quajtur turpi i Shqipërisë.

“Lidhja e strehimit paraprak të afganëve që janë si ne 30 vjet më parë, me gjoja nxjerrjen e studentëve nga konviktet është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhuar shpifjet më të ulëta në këtë vend!”, shkruhej në postimin e Ramës.

Mbërritja e afganëve në Shqipëri

Avioni i parë me afganë, pritej të mbërrinte në Shqipëri të mërkurën e 18 gushtit.

Mirëpo, për shkak të trazirave në Kabul, fluturimi nuk është bërë ende i mundur.

Tirana, Durrësi dhe Berati do të jenë qytetet, të cilët do të mirëpresin emigrantët afganë.

Siç e ka bërë me dije më herët  Rama, pjesë e të ardhurve do të jenë aktivistë, gra, gazetarë, arsimtarë dhe persona që kanë ndihmuar Ushtrinë e SHBA-ve, gjatë misionit në Afganistan.

Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.

Ai ka pohuar po ashtu se ideja është për një strehim të përkohshëm të tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo, deri në çastin kur atyre t’u sigurohen vizat për të shkelur në SHBA.

Akomodimi i refugjatëve në Tiranë

Nga burime zyrtare të Bashkisë së Tiranës, u bë me dije për Albanian Post se do të jenë rreth 350, afganët, të cilët do të mbërrijnë fillimisht në Rinas.

Mbi akomodimin e tyre në Tiranë, nga Bashkia u tha se, “aktualisht janë bërë gati katër godina në Qytetin Studenti”.

Gjithë godinat në Qytetin Studenti – shtatë të tilla – kanë një kapacitet prej 1 mijë e 200 personash. Por, në katër ndërtesat e vëna në dispozicion nga Bashkia, 600 është numri i atyre, të cilët mund të strehohen.

Për sa i përket testimit dhe evidentimit të rasteve me COVID-19 ndër refugjatët, burimi shtoi se në çastin e mbërritjes pranë dhomave ku do të vendosen, aty ndodhet një personel i specializuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Këto grupe, do të vendosen në një hapësirë të dedikuar për kryerjen e testeve.

Nëse një nga refugjatët rezulton pozitiv, do të bëhet izolimi i tyre në dhoma të veçanta. Bashkia ka siguruar se janë marrë të gjitha masat për skenarë të tillë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore