Lajme

Rakiç: Kërkojmë nga Vuçiç që të ndërpresë dialogun me Kosovën


Goran Rakiç

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, përmes një konference për media në Mitrovicën e Veriut, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të tërhiqet nga procesi i dialogut me Kosovën.

Sipas Rakiç kjo kërkesë “është nga serbët që jetojnë në Kosovë”, pas situatës së krijuar të premten, ku Policia e Kosovës asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

“Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, ne, përfaqësuesit politikë të popullit serb nga Kosova, si dhe i gjithë populli serb, kërkojmë nga presidenti ynë Vuçiç dhe gjithë lidershipi shtetëror që menjëherë të pezullojnë çdo pjesëmarrje të mëtejshme të Beogradit në dialogu me Prishtinën”, tha Rakiç.

Sipas tij, “çdo bisedë e mëtejshme me Prishtinën në rrethanat ekzistuese është jo vetëm e palogjikshme, por edhe kundërproduktive”.

“Me fjalë të tjera, vazhdimi i bisedimeve me regjimin e Kurtit pas terrorit të djeshëm do t’i dërgonte atij një mesazh se një veprim i tillë është mjaft fitimprurës, sepse në çdo mundësi të deritanishme i lejon atij të konsolidojë rezultatet e veprimeve të tij të paligjshme”, pretendon ai.

Rakiç i cili para disa ditësh përfaqësonte Serbinë në Kinë, kërkoi nga  lidershipi serb që vendimi për ndalimin e përkohshëm të pjesëmarrjes së zyrtarëve serbë në dialog “të hiqet vetëm pasi Prishtina të tërheqë të gjitha forcat speciale të policisë ROSU nga veriu i Kosovës”.

“Dhe të tërheqë të gjitha organet dhe forcat e saj dhe largohet nga ndërtesat e administratave komunale në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Tutje, Rakiç shtoi se i kishin bërë të qarta kushtet e tyre për kthimin në institucionet e Kosovës, pas dorëheqjeve në nëntor të vitit të kaluar.

“Veprimet armiqësore të Albin Kurtit vazhduan edhe pas daljes nga institucionet. Kurti vazhdimisht dhe çdo ditë kryen represion kundër popullit serb”, pretendojnë nga Lista Serbe.

Ndërsa, Rakiç potencoi se “dje shkuam në Beograd për të dërguar mesazh paqeje” – morën pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe dhe Vuçiç –“ nuk u kthyem kur filluan incidentet sepse morëm garanci nga KFOR-i se do të qëndronin mes popullit dhe njësive speciale dhe kjo nuk ndodhi”.

“Ne nuk do të shkojmë askund prej këtu, në asnjë tubim. Ne do të qëndrojmë me njerëzit tanë, pohoi Rakiç.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore