Lajme

Rakiç e Simiç edhe këtë të hënë në mes të protestuesve në veri të Kosovës


Protestat e serbëve lokal në tri komunat veriore të Kosovës, janë duke vazhduar edhe këtë të hënë.

Që në mëngjes, para objektit të komunës së Zveçanit, në mesin e protestuesëve janë parë edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe nënkryetari Igor Simiç.

Të dy bëheshin pjesë e protestës herë pas here, nga e premtja e 26 majit, kur edhe filloi.

Ata i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, qytetarët serbë po protestojnë para objekteve komunale duke kërkuar largimin e kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, zgjedhje këto të cilat Lista Serbe i bojkotoi, për më tepër kërkoi që edhe qytetarët serbë të mos dalin për të votuar.

Tani, të pa kënaqur me rezultatet, pas vendosjes së kryetarëve në zyrat e tyre, në objektet e komunës, me ndihmën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, serbët po protestojnë duke kërkuar largimin e tyre dhe njëherit largimin e Policisë së Kosovës nga ato hapësira.

Përveç 29 majit, kur protesta eskaloi, duke lënë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, disa policë të lënduar, shumë vetura të djegura e demoluara, dhe disa gazetarë të sulmuar, në ditët tjera situata ishte më e qetë.

Në gati çdo ditë që kur filloi kjo protestë forcat e rendit kanë njoftuar për incidentet e shkaktuara, por ato janë menaxhuar nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

Këtë të hënë ashtu si gati çdo ditë, serbët po qëndrojnë në tendat të cilat i kanë ngritur para objekteve komunale, dhe përveç ditën, një numër i caktuar i protestuesve po qëndrojnë aty edhe natën.

Ndërkaq ndërtesat e komunave janë rrethuar me tela me gjemba dhe ndalesa betoni nga KFOR-i duke mos lejuar kështu fytjen e protestuesve në hapësirat e objekteve komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore