Lajme

Raketa e Gazës godet parkingun pranë Tel Aviv-it, Netanyahu takohet me familjet e pengjeve


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një takim me përfaqësuesit e familjeve të pengjeve të mbajtura në Gaza, tha: “Kjo përpjekje për t’i sjellë ata në shtëpi jo vetëm që vazhdon por po rritet dita-ditës”.

“Ne do të zbatojmë dhe shterojmë çdo mundësi të mundshme për t’i kthyer në shtëpi”, garantoi ai.

Në takimin e zhvilluar në kompleksin e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv, morën pjesë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Sara Netanyahu, drejtori i përgjithshëm i zyrës së tij Yossi Sheli, ministrja e Transportit Miri Regev dhe zyrtari përgjegjës për pengjet dhe personat e zhdukur, Gal Hirsch.

“Kjo është një pjesë integrale e qëllimeve të operacionit, siç i përcaktuam ne. Nuk është vetëm retorikë”, shtoi Netanyahu. “Një përpjekje është duke u zhvilluar dhe nuk jam i sigurt që njerëzit e kuptojnë se si po kryhet dhe në çfarë sfere, duke përfshirë udhëzimet për forcat në terren dhe në kontekste shumë të gjera, globale dhe lokale – dhe kjo vazhdon gjatë gjithë kohës”.

Një raketë e lëshuar nga Rripi i Gazës ra në një parking në Kiryat Ono, një qytet që ndodhet afërsisht 8.4 kilometra në lindje të Tel Avivit.

Shërbimi i ambulancës Magen David Adom thotë se mjekët po shkojnë në vendngjarje për të skanuar për lëndime të mundshme.

Shefi i Shtabit të IDF-së, gjeneral-lejtant Herzi Halevi në një video-deklaratë pohoi se për të mposhtur Hamasin dhe për të kthyer pengjet që grupi terrorist po mban, Izraeli duhet të kryejë një ofensivë të madhe tokësore në Rripin e Gazës.

“Kanë kaluar tre javë nga fillimi i luftës. Kjo luftë ka faza dhe sot ne kaluam në një fazë të re”, thotë Halevi, duke iu referuar operacioneve tokësore të vazhdueshme dhe të zgjeruara në Gaza.

“Forcat tona aktualisht po kryejnë operacione tokësore në Rripin e Gazës… të cilat shërbejnë për të arritur të gjitha objektivat e luftës: shpërbërjen e Hamasit, sigurinë në kufij dhe përpjekjet më të larta për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi”, thotë ai.

Sipas tij, objektivat e luftës kërkojnë hyrje në tokë.

“Nuk ka arritje pa rreziqe dhe nuk ka fitore pa paguar çmime”, vijon ai.

Ai shtoi se operacionet tokësore “u shërbejnë të gjitha objektivave të luftës”.

Abu Obeida, zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, deklaroi se është bërë përparim drejt një marrëveshjeje të shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve, por Izraeli e ka penguar atë.

“Ka pasur kontakte të ndryshme në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve, por Izraeli nuk ka treguar seriozitet”, tha Abu Obeida.

Ai shtoi se “çmimi për lirimin e numrit të madh të të burgosurve tanë është çlirimi i të gjithë të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen bëri thirrje për një rivlerësim të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë, duke përmendur kritikat “të ashpra” nga liderët turq për ofensivën ushtarake kundër Hamasit.

Cohen thotë se ai ka urdhëruar diplomatët izraelitë të vendosur në Turqi të kthehen në Izrael.

Javën e kaluar, Izraeli tërhoqi diplomatët e tij nga vendi pasi u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve izraelitë të largoheshin për shkak të kërcënimeve terroriste.

Izraeli duhet të dalë menjëherë nga gjendja e çmendurisë në të cilën është futur dhe të ndalojë sulmet në Gaza.

Ishte ky mesazhi i radhës nga presidenti turk, Recep Tyyip Erdogan, i cili në paraprirje të një tubimi masiv pro-palestinez në Stamboll, ka bërë thirrjen e radhës për armëpushim.

Përmes platformës sociale X, njohur më parë si Twitter, Erdogan shkruan se bombardimet veçse në rritje në Gaza, të cilat u përshkallëzuan edhe më tej natën e shkuar, kanë pasur në shënjestër sërish gra, fëmijë dhe civilë të pafajshëm.

Kjo gjë, sipas tij, e ka thelluar edhe më tej krizën humanitare në Lindjen e Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore