Lajme

Rafuna për Albanian Post: Bizneset po marrin punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Nepali


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë për Albanian Post se në mungesë të fuqisë punëtore, bizneset në vend kanë filluar të marrin punëtorë nga Azia.

“Bizneset kanë qenë të detyruar që të importojnë fuqi punëtore prej vendeve tjera, por edhe pse kanë importuar fuqi punëtore sidomos prej Bangladeshi, Indisë dhe Nepalit, problemi është që bizneset nuk po munden me u mbështet në fazat afatgjate tek kjo fuqi punëtore, pasi ata e shohin Kosovën si transit drejt vendeve të BE-së”, tha Rafuna.

Po ashtu, kreu i OEK-ut ka theksuar se bizneset po kanë problem të gjejnë punëtorë të kualifikuar, pasi një pjesë e madhe e tyre tashmë janë larguar drejt vendeve perëndimore.

“Çdo vend me rastin e liberalizimit të vizave ka pasur mungesë të fuqisë punëtore, po tek Kosova është një rast më i veçantë. Me liberalizmin e vizave shumë shtete të Bashkimit Evropian për shkak të nevojës për të pasur më shumë fuqi punëtore i kanë thjeshtuar procedurat e lejeve të punës, ose të vizave të punës”, potencoi ai.

Prandaj, ai shton se Qeveria duhet urgjentisht që të ndërmarrë veprime për ta parandaluar largimin e rinjve.

“Duhet të tentojmë që ata që kanë shkuar jashtë vendit t’i kthejmë. Nëse futemi në strukturën e të rinjve që po largohen, dominon gjinia mashkullore, duhet të studiohet edhe në kuptimin e natalitetit”, shtoi ai.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një bisedë për Albanian Post pati theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është “një grusht i madh”.

“Pasi që vendet e punës në Perëndim do ta marrin fuqinë punëtore edhe me një shpejtësi më të madhe sesa që ka ndodhur deri tani. Realisht, këtu do të jetë një mungesë shumë e madhe e fuqisë punëtore në sektorin privat, pra do të jetë një ‘bumerang’ shumë i madh”, kishte thënë Azemi.

Edhe në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, ka rezultuar se nga 1 mijë qytetarë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Schengen, kjo pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen. Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore