Kosova

Radoniqi: Nuk kemi marrë kërkesë për shkurtim të fushatës zgjedhore


Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Kërkesa për shkurtim të ditëve të fushatës zgjedhore për shkak të rasteve me COVID-19 nuk është bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht dakordimit të partive politike që te ketë shkurtim të fushatave.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të tillë, derisa theksoi se nëse partitë do t’i drejtohen KQZ-së me kërkesë për shkurtim të fushatës zgjedhore atëherë do të marrin një vendim.

“Sa i përket fushatës parazgjedhore ne në KQZ ende nuk kemi marrë ndonjë kërkesë nga partitë politike për shtyrje apo nga kushdo tjetër, në momentin që do të pranojmë një kërkesë do ta shqyrtojmë dhe do të marrim një vendim”, tha Radoniqi.

Duke shtuar se, “çështja e afatit të fushatës paraelektorale është çështje e ligjit, ligji e përcakton, por duke pasur parasysh rrethanat ne do ta shqyrtojmë dhe do të marrim një vendim”.

Ndërkaq, sa i përket idesë që zgjedhjet lokale të shtyhen si pasojë e numrit të madh të rasteve me COVID-19, Radoniqi thotë se këtë vendim nuk mund ta merr KQZ.

“Sa i përket shtyrjes së datës së zgjedhjeve nuk varet nga KQZ-ja, varet nga rekomandimi i IKSHPK-së apo Ministrisë së Shëndetësisë”.

Partitë parlamentare opozitare janë dakorduar që të ketë shkurtim të ditëve të fushatës zgjedhore për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19.

Zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë një periudhë prej 30 ditësh për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Afati i fushatave zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor, mirëpo shkaku i pandemisë COVID-19 ende nuk dihet se si do të zhvillohen këto fushata zgjedhore nga partitë politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore