Lajme

Qytetarët koreano-jugorë do të bëhen ‘më të rinj’ falë një ligji


“Vendi ynë do të bëhet më i ri”.

Tingëllon çuditshëm, por kështu ka deklaruar qeveria në Seul.

Dhe merita nuk i takon politikave efektive për rritjen e natalitetit.

Bëhet fjalë për një vendim që llogaritja e moshës së qytetarëve të përputhet me standardet ndërkombëtare.

Koreja e Jugut ruan ende metodën e numërimit të viteve që rrjedh nga tradita e Azisë Lindore.

Referuar asaj, çdo fëmijë pa ardhur ende në jetë është një vjeç kur lind dhe të gjithë qytetarët fitojnë një vit çdo 1 janar.

Në praktikë, një fëmijë i lindur më 31 dhjetor disa orë më vonë është dy vjeç. Vende të tjera, si Kina dhe Japonia, e miratuan këtë sistem, por e braktisën dekada më parë.

Nga sot e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Korenë e Jugut.

Për këtë arsye moshat e të gjithë qytetarëve do të rillogariten në përputhje me standardin e çdo vendi tjetër.

Por ky kalim nuk është pa pasoja.

Në shoqërinë e Koresë së Jugut mosha është më shumë se një numër, një status i vërtetë shoqëror.

Aq sa është e zakonshme, kur i prezantohesh një të panjohuri, të pyesësh menjëherë për moshën.

Në vitin 2018, me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pyeongchang, qeveria duhej t’u kërkonte në mënyrë eksplicite koreano-jugorëve që të mos u bënin të huajve pyetjen “e papërshtatshme”, për të shmangur shfaqjen e vrazhdë.

Po ashtu implikimet janë edhe praktike.

Në mjedisin shkollor, si të përcaktohet nëse një fëmijë mund të ndjekë klasën e parë apo jo?

Për të anashkaluar vështirësitë e numërimit, autoritetet e shkollës kanë zgjedhur një zgjidhje të thjeshtë: sistemi i vjetër do të zbatohet në botën e arsimit.

Ngjashëm siç do të mbetet në fuqi për të përcaktuar se kur duhet të paraqiten djemtë për thirrjen për shërbimin ushtarak.

Të njëjtët djem do të duhet ende të presin për të bërë dolli. Mosha minimale për konsumimin e pijeve alkoolike do të ulet nga 20 vjeç në 19 vjeç, pra vetëm me një vit.

Kështu që në praktikë pritja për gllënjkën e parë të soju-s nuk do të shkurtohet as edhe një ditë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore