Lajme

Qeveria spanjolle vepron mbi lëvizjen e ekstremit të djathtë kundër abortit


Qeveria spanjolle po ndërmerr veprime ligjore për të parandaluar që autoritetet në rajonin Castilla y León të prezantojnë protokolle të diskutueshme kundër abortit.

Çka do t’i detyronte mjekët t’u ofronin grave që kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë një skanim 4D, një shans për të dëgjuar rrahjet e zemrës së fetusit dhe një konsultë psikologjike.

Nismat anti-abortit u njoftuan javën e kaluar nga partia e ekstremit të djathtë Vox, e cila qeveris Castilla y León në koalicion me partinë më të madhe konservatore.

Teksa gratë që dëshirojnë një abort do të ishin të lira të refuzonin shërbimet e reja, kritikët argumentojnë se propozimet do të ushtronin presion mbi ato që kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë dhe do të ndryshonin përparimin në të drejtat e grave.

Zëvendëspresidenti rajonal, Juan García-Gallardo i Vox, ka thënë se masat “do t’ia vlenin nëse do të lindte qoftë edhe një fëmijë që do të abortohej”.

Ai ka vlerësuar protokolle të ngjashme që janë prezantuar tashmë në Hungari nga qeveria e kryeministrit të ekstremit të djathtë, Viktor Orbán, duke thënë se ato u ofronin grave “alternativa”.

Sakaq, çështja ka shtyrë qeverinë kombëtare të ndërhyjë.

“Më lejoni të jem shumë i qetë dhe shumë i vendosur: ne nuk do të lejojmë asnjë kthim prapa në të drejtat e grave”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë Carolina Darias.

Mjekët kanë ngritur po ashtu shqetësime mbi bazën etike dhe mjekësore të propozimeve.

Në një deklaratë, Shoqata Spanjolle e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës i ka kërkuar qeverisë rajonale të rishqyrtojë protokollet, duke thënë se mjekët duhet të respektojnë të drejtat ligjore të grave për të pasur akses në abort.

Po ashtu ka vënë në dukje se përdorimi i skanimeve 4D nuk rekomandohej në mënyrë rutinore dhe se ultrazërit Doppler duhet të përdoren me maturi në tremujorin e parë të shtatzënisë për shkak të rreziqeve të mundshme për fetusin.

Dhjetorin e kaluar, kongresi i Spanjës miratoi legjislacionin që lejon vajzat e moshës 16 dhe 17 vjeç të bëjnë abort pa pëlqimin e prindërve dhe anulon periudhën e mëparshme treditore të reflektimit për ato që kërkojnë ndërprerje të shtatzënisë.

Ministrja spanjolle e Barazisë, Irene Montero, ka thënë se ligji i ri “na lejon të ushtrojmë lirinë mbi trupat tanë, me shtetin që njeh shtetësinë e plotë të më shumë se gjysmës së popullsisë që janë gra”.

Legjislacioni u miratua me 190 vota pro, 154 kundër dhe pesë abstenime.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore